Qeveria shqiptare ka vendosur që të bashkohet me aleatët e NATO-s për të dëbuar disa diplomatë rusë nga vendi pas helmimit të ish-spiunit rus në Britaninë e Madhe. Ministria e Jashtme shqiptare

Shqipëria do të dëbojë disa diplomatë rusë pas sulmit kimik që ndodhi në Britani ndaj një ish-spiuni rus, Sergei Skripal për të cilën Anglia fajëson Rusinë.

Lajmi konfirmohet nga burime qeveritare, të cilët saktësojnë se sanksioni vjen si kërkesë e NATO-s, e cila ka ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë për këtë çështje.

Ende nuk është e qartë se sa diplomatë rusë do të dëbohen dhe si do të zgjidhen ata, por në evidentimin e tyre është angazhuar Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme, si dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.

Paraprakisht bëhet fjalë se në shënjestër do të jenë ata diplomatë që janë edhe të angazhuar në shërbimin inteligjent rus.

Ngjarja që po trazon botën daton në 4 mars të këtij viti, ku Sergei Skripali dhe vajzës së tij Yulia, u helmuan me një agjenti kimik nervor që e zotëron vetëm Rusia në Salisbury të Anglisë.

Pas asaj dite, Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar dëbimin e 60 diplomatëve rusë, ndërsa Gjermania dhe Franca kanë njoftuar gjithashtu se do të përjashtojnë nga 4 diplomatë rusë secila.

Edhe 14 vende të tjera evropiane i janë bashkuar Britanisë e cila nisi e para dëbimin e rusëve me 23 të tillë javën e shkuar. Kryeministri Rama i ka njohur deputetët e tij me këtë vendim në mbledhjen e grupit parlamentar.