Ndeshja në Shkodër nis me gol që nga “tuneli”. Eshtë fieraku Andi Ribaj, ai që shënon që në minutën e 2-të, duke i dhënë një stimul të madh psikologjik kuqebluve. Aksioni nga e djathta i Gilman Likën përfundon me krosim në zonën korçare. Aty, Ribaj e godet saktë dhe 1-0. Fieraku, me Likën dhe Krymin, rrezikojnë përsëri në vijim të lojës portën korçare, kryesisht me goditje nga distanca. Muzaka, Dita dhe Gavazaj kundërpërgjigjen në të njëjtën mënyrë, por goli i barazimit do të dilte në dritë në minutën e 21-të. Soue merr një passim të përpiktë brenda zonës së Vallaznisë, fiton dyluftimin me Orelesin dhe përballë Sherrit nuk fal. 1-1. Në minutën e 33-të është Tafili, që godet përballë portës së Teqjas, por topi kalon paksa mbi tra. Dy minuta më pas, Vucaj ka mundësi ideale për t’i kaluar të tijtë sërish në epërsi. I vetëm përballë portierit kundërshtar, mesfushori shkodran gabon fatalisht.

Përpjekjet e vendësve i kurorëzon sërish Andi Ribaj, në minutën e 44-t, kur kompleton dopietën e tij personale dhe e dërgon Vllazninë në avantazh në pushimin mes dy pjesëve të lojës. Fraksioni i dytë i ndeshjes nis më vrullshëm për Skënderbeun, që duket i orientuar drejt portës vendëse. Në minutën e 52-të, Radas godet shumë fort nga distanca, por reagon bukur Sherri, duke devijuar në këndore. Ribaj dhe Vucaj shfaqin probleme lëndimesh, por shtrëngojnë dhëmbët dhe, pas ndihmës mjekësore të momentit, kanë vijuar lojën. Në minutën e 64-t, Bruno Dita ka bërë të pabesueshmen. I gjendur përballë portës kuqeblu, mesfushori i Skënderbeut gjuan jashtë, duke bërë më të vështirën. Trajneri Daja nis të bëjë zëvendësime, duke hedhur në fushë forca të freskëta, me qasje ofensive. Nuk pajtohen me disfatën miqtë, ndaj me kalimin e minutave e rrisin presionin.

Vllaznia mendon më shumë për prapavijën dhe përmes kundërsulmit tenton të gjejë në befasi kuqebardhët, të orientuar dukshëm përpara, në kërkim të golit. Shihet tension te juglindorët, me kalimin e minutave, çka i nxeh shumë gjakrat mes Osmanit dhe Gilman Likës në një moment. Andi Ribaj, në m,inutën e 70-të, i zbuluar, përballë portierit mik, vonon në gjuajtje dhe humbet rastin e volitshëm për ta mbyllur ndeshjen. Minuta në vijim janë përpjekje të shumta, por jo me qartësinë e duhur, të Skënderbeut, që hidhet i tëri përpara për të evituar humbjen. Por, nuk ia del, qoftë për meritë të qëndresës së shkodranëve, aq edhe për mungesë shënjestre të lojtarëve të vet. Tri pikë tepër të çmuara për kuqeblutë, të cilët ndiejnë nga afër dihatjen e Teutës, që fitoi sot në shtëpi. Skuadra e Ilir Dajës, e tronditur nga dënimi 10-vjeçar i UEFA-s, dha shenja dobësie në transfertën e sotme, por kreu mbetet pronë e padiskutueshme e saj.