Gjermania kullon djersë-për të punuar gjithsesi punohet. Para së gjithash zjarrfikësit kanë shumë punë. Por ata nuk janë të vetmit, të cilët në raste temperaturash të larta japin kontribut të jashtëzakonshëm.

Landi federal i Brandenburgut përreth kryeqytetit Berlin ka qenë ditët e fundit shpesh në titujt e gazetave – sepse kanë marrë zjarr shumë pyje. Për fat deri tani nuk është dëmtuar askush, ndryshe nga situata në Greqi ose aktualisht në Kaliforni.

Më delikate ka qenë gjendja përreth lokalitetit të vogël Fichtenwalde. Këtu kërcënonte evakuimi i banorëve, por zjarrfikësit arritën ta shmangin këtë. Prandaj ata janë heronjtë e vapës për njerëzit.

Pa vullnetarë nuk bëhet

Në angazhimin e zjarrfikësve morën pjesë ditët e fundit para së gjithash zjarrfikës vullnetarë, të cilët nuk marrin para angazhimin e tyre. Pra qytetarë fare të zakonshëm, të cilët kualifikohen në kohën e lirë dhe që ndërhyjnë kur bie sirena, edhe natën dhe në fundjavë.

Dhe këto ditë kjo ndodh shpesh, qoftë në Brandenburg ose në landet fqinje, ku thatësira aktualisht është më e madhe. Kur del nevoja, zjarrfikësit vijnë me dyzina nga lokalitet fqinje për të dhënë ndihmë. Disa ndihmojnë madje edhe në vende të largëta, si në Suedi këto ditë.

Pa vullnetarë, një ndihmë e shpejtë as do të ishte e mundur. Në Brandenburg, sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme janë 38.400 të tillë. Përballë tyre janë 700 zjarrfikës profesionistë, të cilët punojnë para së gjithash në qytetet e mëdha.

Ndihma për vapën është mbrojtje në punë

Në ditët e ardhshme priten temperatura deri 38 gradë. Megjithatë, zakonisht nuk bëhet pushim për shkak të vapës: ndërtuesit e rrugëve, kopshtarët dhe ndërtuesit e çative, të gjithë vazhdojnë punën.

Në Gjermani përgjegjëse për mbrojtjen në vendin e punës në kohë vape janë sindikatat dhe shoqatat profesionale (për parandalimin e aksidenteve në punë). Shoqata profesionale e industrisë së ndërtimit ka krijuar tani madje një aplikacion “moti për ndërtimin”.

Ai tregon motin, rrezikun nga rrezet ultraviolet dhe jep këshilla.

“Mbrojtja nga dielli është mbrojtje në punë njësoj si dorezat e sigurisë”, tha kryetarja e qarkut e sindikatës industriale Ndërtim-Agrar-Mjedis në Brandenburg, Regina Grüneberg, në një intervistë dhënë shtypit.

Sindikata u bën thirrje punëdhënësve, që të shmangin të paktën në kohën e drekës punimet në diell përvëlues. Ata që punojnë jashtë sqarohen rregullisht.

“Qumështi për mbrojtje nga dielli dhe shishja e ujit bëjnë pjesë në pajisjet e punës njësoj si mistria dhe llaçi”, thotë Grüneberg.

Edhe për bujqësinë është sfidë vapa. Aktualisht korren para së gjithash drithëra. Por për fat, për shumicën e bujqve situata nuk është si 30 vjet të shkuara. Sepse autokombajnat dhe traktorët janë sot të aklimatizuar dhe kanë GPS.

Për ata që nuk i kanë këto pajisje, puna u sjell shumë djersë e pluhur. Kjo mund të thuhet edhe për punëtorët me kontrata të përkohshme nga Evropa Lindore ose Ballkani, që nuk kanë lobing që t’i mbrojë. Jo çdo heroi të vapës i njihet mundi.