Pas shkarkimit të shefit të FBI-së, James Comey, drejtuesi në detyrë i Byrosë Federale të Investigimit, Andrew Mc Cabe, ka qartësuar se hetimet për lidhjet të mundshme mes zyrtarëve të lartë të fushatës së Donald Trump dhe Rusisë do të vijojnë.

Garancia e tij u dha gjatë një seance dëgjimore të zhvilluar në Senat. Hetimet për lidhje të dyshuara mes zyrtarëve të lartë të fushatës së Donald Trump dhe Rusisë, do të vijojnë pavarësisht shkarkimit të shefit të FBI-së, James Comey. Garancia është dhënë nga drejtuesi i përkohshëm i Byrosë Federale të Investigimit, Andrew McCabe, i cili gjatë një seance dëgjimore në Senat, deklaroi se puna e institucionit nuk do të ndikohet aspak. I pyetur nga senatori republikan, Marco Rubio, mbi vazhdimësinë e hetimeve, McCabe theksoi se nuk ka asgjë që mund të ndalojë FBI-në për të mbrojtur qytetarët amerikanë.

“Sikurse e dini, z. Senator, puna e grave dhe burrave që janë të angazhuar në Byronë Federale të Investigimit, vazhdon pavarësisht çdo situate apo vendimi. Deri më tani nuk ka patur asnjë përpjekje të jashtme për ta ndaluar këtë hetim. Thënë më thjeshtë, zotëri: Askush nuk mund të ndalojë personat që punojnë për FBI-në që të bëjnë gjënë e duhur, të mbrojnë qytetarët amerikanë si dhe të zbatojnë Kushtetutën”. Më tej, drejtuesi në detyrë i FBI-së, Andrew McCabe, komentoi edhe në lidhje me shkarkimin e James Comey. Administrata amerikane deklaroi se e mori vendimin për shkarkimin e ish-shefit të Byrosë, për shkak se punonjësit e FBI-së e kishin humbur besimin tek Comey.

Megjithatë, e kundërta u artikulua nga McCabe, i cili tha se nuk kishte vënë re asnjë tregues që të nënkuptonte diçka të tillë. Shkarkimi i Comey nga administrata Trump ka shkaktuar një debat të gjerë në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që në drejtim të Presidentit ka patur akuza se largimi i ish-shefit të FBI-së, u bë për shkak të hetimeve që kanë nisur për lidhje të mundshme të Rusisë, me fushatën elektorale të Presidentit aktual.