Zbardhet një pjesë e pamjeve të kamerave të stacionit të policisë së Fushë-Krujës mbrëmjen e 21 korrikut të këtij viti, kur ndodhi edhe tërheqja e kallëzimit të Xhisiela Malokut ndaj djalit të deputetit të PS Rrahman Rrahja.

Bazuar në kqyrjen e materialeve filmike, sipas burimeve të SHÇBA ka rezultuar se në datën 21 korrik 2018 rreth orës 21.40 oficeri Gentian Çitozi ka thirrur Xhisiela Malokun, të cilës i ka marrë me procesverbal tërheqjen e kallëzimit.

Ky veprim bazuar në pamjet e kamerave është bërë në prani të shtetasit Rexhep Rraja, i cili ishte pikërisht personi që akuzohej nga Xhisiela Maloku.

Sipas akuzës, ky veprim i kryer nga oficeri Gentian Çitozi përbën shkelje ligjore e proceduriale pasi ai nuk duhej të kishte lejuar pyetjen e të dëmtuarës dhe të akuzuarit në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin ambient.

Për këtë arësye, oficeri Gentian Çitozi është përjashtuar nga hetimi dhe tashmë po ndiqet penalisht për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Më datë 21 korrik rreth orës 17.00 25-vjeçarja ishte paraqitur në Komisariatin Nr.3 në Tiranë ku ka depozituar kallëzim ndaj shtetasit Rexhep Rraja për përndjekje dhe kanosje me mesazhe telefonike.

Për këtë akuzë, Prokuroria e Krujës ka dorëzuar tashmë në gjykatë dosjen penale ndaj shtetasit Rexhep Rraja, djali i deputetit të PS Rrahman Rraja, i akuzuar për përndjekje ndaj Xhisiela Malokut.

Në gjykatën e këtij qyteti pritet të fillojë tashmë procesi gjyqësor ndaj të riut që akuzohet sipas nenit 121 të kodit penal për veprën që dënohet nga 6 muaj deri në 4 vjet burg.

Prokurorja Mirela Kapo në kërkesën për gjykim shprehet se Rexhep Rraja e ka përndjekur 25-vjeçaren për një kohë të gjatë duke i shaktuar asaj rëndim të gjendjes psikologjike dhe gjendje ankthi.

Ndërkohë që kjo çështje është dërguar tashmë në gjyq, prokuroria ka në hetim çështjen ndaj oficerit të policisë Gentian Çitozi, i cili ka marrë dëshminë e Xhisiela Malokut në të cilën ajo tërheq padinë për djalin e deputetit.