Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur “arrest me burg” për tre prej shtetasve të ndaluar dhe të arrestuar që dyshohen për korrupsion në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Shkodër dhe “arrest shtëpie” për një tjetër.

Në këtë mënyrë shkalla e parë dha masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të ndaluarit Mirjam Bletaj, ish-jurist i hipotekës së Shkodrës dhe Sokol Tirana i dyshuar si sekser. Në “arrest me burg” u la edhe shtetasi tjetër Johan Zefi i dyshuar si sekser ndërsa Ndoc Taraj, personi i cili do përfitonte çertefikatën e pronësisë përmes korrupsionit u dha masa e sigurisë “arrest shtëpie” e kërkuar nga vetë prokuroria.

Dy të fundit janë arrestuar në flagrancë në një lokal të afërsi të hipotekës së Shkodrës. Sipas prokurorisë shtetasi Ndoc Taraj, pronar i një objekti ishte i gatshëm që të paguante një mijë euro për të përfituar në mënyrë të përshpejtuar çertefikatën e pronësisë nga hipoteka e Shkodrës.

Në këtë mënyrë organi i akuzës dyshon se Taraj do i paguante një mijë euro shtetasit Johan Zefi i cili do t’ia dërgonte Sokol Tiranës, dhe këta dy në rolin e sekserit do t’ia jepnin në fund ish-juristit Mirjam Bletaj për të bërë të mundur më pas nxjerrjen e çertefikatës së pronësisë në mënyrë të përshpejtuar.

Shtetasit që u lanë në “arrest me burg” gjatë seancës për dhënien e masës së sigurisë në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër mohuan akuzat ndaj tyre duke thënë se nuk kanë lidhje me korrupsionin. Ish-juristi Bletaj, dy personat e dyshuar si sekserë Johan Zefi dhe Sokol Tirana dhe pronari i objektit Ndoc Taraj hodhën poshtë çdo dyshim të prokurorisë.

Në këtë mënyrë pala mbrojtëse kërkoi një masë lehtësuese për katër shtetasit për shkak se nuk janë persona të rrezikshëm dhe se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme për t’i mbajtur me masë shtërnguese.

Në fund gjykata e shkallës së parë vendosi që t’i lërë në “arrest me burg” tre prej tyre dhe cilësoi të ligjshëm ndalimin dhe arrestimin. Sipas burimeve pritet që në hipotekën e Shkodrës të ketë edhe disa shkarkime të tjera punonjësish, kjo edhe në kuadër të një deklarate të ministres së drejtësisë Etilda Gjonaj për korrupsionin në zyrat e hipotekave.

Artikulli paraprakGRABITËSI SHQIPTAR KËRCËNON SHQIP DHE GRABIT 4 ZVICERANËT
Artikulli tjetërKONFLKTI PËR PRONËN, KUNATI ME 2 DJEMTË RRAHIN KEQ 55-VJEÇAREN, TENTOJNË TA VRASIN