Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar katër drejtorë rajonalë të Hipotekave dhe dy të ALUIZNI-it, gjatë një takimi të zhvilluar sot në Tiranë ku është analizuar puna e drejtorive rajonale.

Kreu i qeverisë ka evidentuar performancën e dobët të drejtorëve, ndryshe nga sa kishte kërkuar ai në takimet e mëparshme me krerët e Hipotekës dhe ALUIZNI-t, për t’i shërbyer me korrektesë qytetarëve dhe zbatuar ligjin.

Rama e ka konsideruar të tepërt qëndrimin e tyre në detyrë kur sipas tij rezultatet nuk janë optimiste, ka mosrealizim plani dhe gjithashtu performancë të dobët.

Mes të shkarkuarve janë edhe krerët e Hipotekave të Sarandës, Pogradecit dhe Malësisë së Madhe, ndërsa drejtuesit e tjerë të larguar nuk bëhen të ditur. Një ditë më parë kryeministri Edi Rama shkarkoi kreun e Hipotekës së Krujës, Edmond Daci, vetëm tre muaj pasi ishte emëruar në këtë detyrë.

Daci u zgjodh në krye të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Krujë, 3 muaj më parë pas një konkursi të hapur.