E akuzuara për organizim dhe pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS, Florinda Zymeri, është deklaruar e pafajshme, në seancën e parë mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ajo akuzohet se në gusht të vitit 2014 me dëshirë të plotë, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka udhëtuar për në Stamboll të Turqisë, pastaj drejt Irakut dhe Sirisë, për t’u bashkuar me organizatën terroriste “ISIS”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të akuzës nga prokurorja Habibe Salihi, e akuzuara ka mohuar në tërësi fajësinë për veprën që i ngarkohej. “Nuk e ndiej veten fajtore. Jam e pafajshme”, ka thënë ajo.

Pas deklarimit të të akuzuarës lidhur me fajësinë, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Selimaj ka njoftuar atë se brenda 30 ditësh mund të bëjë kundërshtimin e provave dhe të paraqes kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Për identifikimin e personalitetit të të akuzuarës, gjykatësja Selimaj ka kërkuar që Zymeri të heqë përkohësisht mbulesën e fytyrës dhe e akuzuara ka vepruar sipas urdhrit të gjykatës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 19 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Florinda Zymeri, për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

E akuzuara bënë pjesë në grupin e grave të riatdhesuara nga Siria, më 24 prill të këtij viti.

Artikulli paraprakLETRA, VOGËLUSHJA NGA ITALIA U DËRGON 5 EURO FËMIJËVE SHQIPTARË TË PREKUR NGA TËRMETI
Artikulli tjetërPOLICIA E SHTETIT MBLEDH 104 MLN LEKË PËR TË PREKURIT NGA TËRMETI