Komisioni Evropian i ka paralajmëruar qytetarët e BE-së që të mbyllin llogaritë e tyre në Facebook, nëse ata duan ta mbajnë informacionin privat nga shërbimet e sigurimit të SHBA-ve.

Komentet u bënë nga avokati i KE-së Bernhard Schima, i cili iu bëri thirrje qytetarëve të BE-së, që të kenë kujdes, pasi legjislacioni aktual i “Safe Harbour” nuk i mbron të dhënat e qytetarëve. “Ju duhet ta konsideroni mbylljen e llogarisë tuaj në Facebook, në qoftë se ju keni një të tillë”, tha Schima në një seancë të çështjes në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg. Kur u pyet drejtpërdrejt, komisioni nuk mund të konfirmonte në gjykatë se rregullat e “Safe Harbour”, sigurojnë një mbrojtje adekuate të të dhënave të qytetarëve të BE-së.