ITALIA THYEN TABUNË, CONTE DEBUTON ME FITORE. Italia e Antonio Contes bind që në start duke fituar me rezultatin e pastër 0-2 në transfertë përballë Norvegjisë. Golat për të kaltrit u shënuan nga Zaza në minutën e 16 dhe Bonuci në të 62’.

Norvegjia edhe pse luante në shtëpi përballë tifozerisë së saj nuk arriti që të prekte rrjetën e miqve, pavarësisht tentativave në pjesën e parë dhe të dytë.

Ndërsa Italia me fytyrën e re përpos faktit që thyen tabunë, pasi nuk fitonte prej disa vitesh në këtë fushë, nuk e ka ndierë aspak mungesën e Balotelit, duke i dërguar kështu një mesazh të qartë se ekipi nuk është i varur prej tij. Në ndeshjet e tjera të grupi H, Kroacia fitoi 2-0 me Maltën, ndërsa Bullgaria 2-1 me Azerbajxhanin. Holanda humbi në ndeshjen e parë të eliminatoreve përballë Çekisë jashtë fushe duke surprizuar.

“Tulipanët’ shiheshin si favoritë pas paraqitjes mjaft të mirë në Botëror, por trajneri i ri, Hidink nuk ka arritur që të ruajë ritmin e Van Gal duke e nisur me humbje. Portokallinjtë u ndëshkuan në minutat shtesë nga Pilar që shënoi golin e dytë duke fituar 2-1. Humbje pësuan edhe Bosnja përballë Qipros dhe Turqia përballë Islandës.