Ish-oficeri i policisë së qarkullimit të Fierit, Antonio Nazeraj, personi që ndaloi makinën “Audi” që përdorej nga vëllezërit Habilaj, por që ishte në pronësi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka fituar azilin politik në Holandë.

Vetë Nazeraj e ka konfirmuar vetë këtë lajm, teksa është shprehur i lumtur që Holanda e ka marrë në mbrojtje atë dhe familjen e tij.

Antonio Nazeraj në vitin 2014 gjatë një kontrolli rutinë në rrugë, ka ndaluar ‘Audin’ me targë “AA 003 GB” dhe ka shoqëruar në komisariat vëllezërit Moisi dhe Artan Habilaj, të cilët udhëtonin me makinën e ish-ministrit në rrugën Fier-Levan nën shoqërinë e dy vajzave.

Ish-oficeri i qarkullimit të Fierit, ka treguar më pas gjatë një interviste se shoqërimi i tyre në komisariat nuk ka zgjatur as 10 minuta për shkak të ndërhyrjeve “nga lart”.

Pas kësaj ngjarje, Nazeraj është vënë nën hetimin nga SHÇBA-ja, ndërkohë që ai ka deklaruar se ndaj tij është inskenuar një rast korrupsioni dhe më pas u realizua dënimi i tij.

Pas këtij rasti Antonio Nazeraj dha dorëheqje nga Policia e Shtetit dhe u largua në Holandë për të kërkuar azil.

Në gusht të vitit 2018 gjatë një interviste për median holandeze “Eenvandaag”, Nazeraj shprehej i frikësuar se nëse nuk merrte azilin, kthimi në Shqipëri do t’i kushtonte jetën. “Kur të kthehem në Shqipëri, jam 100 për qind i vdekur”, deklaronte Nazeraj.

Por më pas autoritetet holandeze vendosën në favor të tij duke i dhënë të drejtën për të jetuar dhe punuar në vendin e tyre.

Sa i përket vëllezërve Habilaj, aktualisht ata vuajnë dënimin me burg në Itali, ndërsa në Shqipëri vijon procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri.

Artikulli paraprak50 TË ARRESTUAR PËR PROTESTËN E DHUNSHME, HETOHEN STRAZIMIRI, NOKA DHE GAZMEND BARDHI
Artikulli tjetërRRËFIMI I INFERMIERIT NGA SHKODRA