Holanda i kërkon zyrtarisht Komisionit Evropian që të rikthejë regjimin e vizave për Shqipërinë. Shkak për këtë vendim të parlamentit holandez është bërë kriminaliteti i shtuar i Shqiptarëve që vepron atje.

Parlamenti zhvilloi diskutime për këtë çështje në 11 prill dhe sot ka votuar mocionin, ku 105 nga 150 deputetë kërkojnë që të pezullohet përkohësisht liberalizimi i vizave për shqiptarët.

Kundër Shqipërisë votuan 9 parti politike në Holandë (Partia Socialiste, PvdD, 50plus, VVD, SGP, CDA, CU, PVV, FVD), nga të cilat 3 parti janë pjesë e qeverisë. Madje, pjesë e votimit që kërkojnë pezullimin e vizave janë dhe partitë e dy ministrave, atij të Jashtëm e atij të Drejtësisë, që më herët patën thënë se Shqipëria i plotëson kriteret e veprimit në Shengen.

Në mocionin e votuar, thuhet se:
“Parlamenti, Pas diskutimeve, duke vënë në dukje se ka pasur një rritje të ndjeshme të kriminalitetit nga mafia shqiptare në Holandë; dhe se këto organizata kriminale keqpërdorin mundësinë për të udhëtuar pa viza përmes Evropës që të zgjerojnë më tej rrjetin e kontrabandës;

duke vënë në dukje se pezullimi i vizave për Shqipërinë u detyrua nga kushte të ndryshme, duke përfshirë parandalimin e krimit ndërkufitar; i kërkojmë qeverisë të paraqesë kërkesën në Komisionin Evropian për të filluar procedurën e frenimit emergjent për liberalizimin e vizave.”

Por ky vendim i parlamentit holandez nuk ka ndonjë efekt të menjëhershëm mbi lëvizjen e shqiptarëve në Shengen. Qeveria holandeze do ta dorëzojë kërkesën në Komisionin Evropian dhe është Parlamenti Evropian që pas diskutimeve do të vendosë nëse do të rikthehen apo jo vizat për Shqiptarët.

Pra, pezullimi i liberalizimit të vizave mund të ndodhë nëse mbështetet nga shumica e vendeve të BE-së. Vizat për Shqipërinë u liberalizuan në vitin 2010.

Tirana zyrtare ka reaguar pas vendimit të parlamentit të Holandës për t’i kërkuar Brukselit që të rikthejë vizat për shqiptarët për shkak të nivelit të lartë të kriminalitetit. Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Gent Cakaj siguron shqiptarët se do të vijojnë që të lëvizin të lirë.

Cakaj është besimplotë se rezoluta në fjalë nuk mund të gjejë mbështetje në Komisionin Evropian, pasi asnjë nga kriteret që do të çonin në aplikimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm nuk është plotësuar në rastin e Shqipërisë.