Sfidat nuk janë të vogla dhe për Holandën e cila ka marrë Presidencën e radhës së Bashkimit Europian që me 1 janar. E vendosur ta mbajë bllokun të bashkuar, e gjithë kjo sipërmarrje ka për të qenë një sprovë e vërtetë. Është hera e 1-rë, që Holanda merr përsipër drejtimin gjashtëmujor të Presidencës së Këshillit të Ministrave të 28 vendeve anëtare, por as që bëhet fjalë për rutinë në sfondin e gjendjes së unionit.

Në kohët e kërcënimit nga terrori dhe të valës së refugjatëve, duhet që BE-ja të mbahet e bashkuar, paralajmëroi qeveria holandeze në dokumentin parimor të paraqitur lidhur me Presidencën. BE-ja është përpara një testi tepër të vështirë, thuhet aty. Fluksi i emigrantëve, kërcënimi terrorist dhe ndryshimet gjeopolitike në Lindje po i krijojnë ngërçe të mëdha Bashkimit Europian, çfarë nxjerr në pah mes të tjerash edhe rrezikun e një fragmentimi të tij. Që Presidencës holandeze do t’i duhet të përballet me 6 muaj aspak të lehtë, këtë e pohoi hapur edhe shefja e Diplomacisë europiane, Federica Mogherini, gjatë vizitës së fundit në Hagë. Ndër prioritetet e kësaj presidence, Holanda ka renditur emigracionin dhe sigurinë, inovacionin e krijimin e vendeve të reja të punës, forcimin e financave e të Eurozonës në përgjithësi, si dhe përparësitë për politikat e klimës dhe energjisë. Është detyra jonë ta ndihmojmë BE-në të gjejë zgjidhje të përbashkëta në këto kohë të trazuara, thuhet në raport. E megjithatë, vendi europiano-verior përballet me pakënaqësi e përplasje edhe brenda kufijve të vet. Euroskepticizmi ka marrë hov në Holande nën flamurin e zërit më të ndezur kundër emigracionit dhe Islamit, politikanit kontrovers Geert Ëilders. Nga ana tjetër, fiks në mesin e Presidencës së saj të BE-së, do t’i duhet të përballet edhe me një referendum tepër të ndjeshëm kombëtar. Votuesve holandezë do t’iu kërkohet një qëndrim mbi marrëveshjett e tregtisë së lirë mes BE-së dhe Ukrainës. Votimi i muajit prill nuk është detyrues, megjithatë refuzimi i tij mund ta njollosë Presidencën holandeze. Përpara Holandës, këtë detyrë e mbajti Luksemburgu, ndërsa shteti tjetër në radhë është Sllovakia.