Policia e Vlorës u vjen në ndihmë 4 turistëve italianë, ku dy prej tyre kishin humbur kontaktet në një zonë të vështirë malore në qafën e Llogarasë, ndërsa dy të tjerë kishin humbur rrugën.

4 shtetasit italianë kishin parkuar automjetin e tyre në anë të rrugës dhe ishin futur në pyllin e Llogarasë, duke u shpërndarë në drejtime të ndryshme për turizëm malor.

Por gjatë eksplorimit të zonës kishin humbur orientimin dhe rrugën e kthimit, ku dy prej tyre ishin bllokuar në një zonë të vështirë dhe për këtë shkak kërkuan ndihmën e Policisë së Shtetit.

Në ndihmë të tyre u angazhuan 40 forca policore të DVP Vlorë dhe të Delta Forcë dhe pas 3 orë kërkimesh bënë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen nga rreziku të katër turistëve italianë.

“Sot rreth orës 14:15, disa shtetas italianë kanë kërkuar ndihmën e Policisë pasi dy prej tyre kishin mbetur të bllokuar në një zonë të vështirë malore në Qafën e Llogarasë si dhe dy shokët e tjerë kishin humbur kontaktet po në atë zonë.

Menjëherë me marrjen e njoftimit, u organizuan shërbimet e Komisariatit dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe në bashkëpunim me shërbimet e Repartit “Delta Forcë”, filluan krehjen e zonës ku pas tre orë kërkimesh u bë e mundur gjetja e tre prej tyre si dhe pas gjysëm ore më vonë Policia gjeti edhe turistin e katërt” informon policia.

Turistët janë shoqëruar nga Policia me gjithë automjetin e tyre në hotelin ku janë akomoduar në Llogara.