Të paktën katër persona kanë mbetur të vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur në Fresno, në Californinë qendrore, kur ndoshta më shumë se një person, ka hyrë në kopshtin e një shtëpie ku po organizohej një festë dhe ka hapur zjarr në drejtim të disa njerëzve që po shihnin së bashku një ndeshje futboll.

Lajmin e bëjnë me dije mediat amerikane, mes të cilave edhe New York Times. Nuk është ende i qartë motivi i gjestit, as nuk dihet kush janë vrasësit.

Disa të plagosur janë dërguar në spital në kushte kritike. Sipas zv/shefit të policisë së Fresno, në kopsht ishin rreth 35 veta kur vrasësi ka hapur zjarr.

Katër të vrarët –ka shtuar funksionari i policisë-janë meshkuj të moshës 25 dhe 30 vjeç. Ende nuk dihet nëse ai që ka qëlluar kishte njohje me viktimat. Asnjë nuk i ka parë atentatorët. Policia po ekzaminon tani pamjet e kamerave të sigurisë dhe po heton ngjarjen.