Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme për verifikimin e kandidatëve për kryetarë bashkie në zgjedhjet e 30 qershorit i ka ndaluar kandidimin Alfred Belerit në zgjedhjet e 30 qershorit si kandidat i pavarur në Bashkinë e Himarës.

“Për verifikimin e deklarimeve në formularin e vetëdeklarimit të kandidatit për Kryetar në Bashkinë Himarë, z. Dhionisios Alfred Petro Beleri, i pavarur, në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publik”. KQZ vendosi të refuzojë kandidaturën e z. Dhionisios Alfred Petro Beleri,

kandidat i pavarur për kryetar të Bashkisë Himarë, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019″ deklaron KQZ-ja.
Shkak për këtë vendim mësohet se janë bërë shkeljet që janë gjetur në formularin e dekriminalizimit.

Në vitin 2006, Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 3 vjet burg për thirrje urrejtjeje nacionaliste. Alfred (Fredi) Bejleri është një emër i njohur, pasi ishte njëri nga anëtarët e komandos ekstremiste të masakrës së Peshkëpisë e ndodhur në 10 prill 1994 në Gjirokastër.

Pavarësisht asaj që kishte ndodhur në 1994 në Gjirokastër, ai mori guximin dhe kandidoi për kryetar të bashkisë së Himarës në zgjedhjet lokale të 2015 në siglën e PBDNJ dhe i mbështetur nga opozita e djathtë, por nuk arriti që të fitonte.

Ndërkohë që kandidoi sërish tani por u rrëzua nga KQZ, ndërsa dosja e Peshkëpisë është rihapur.