Ilirjan Hasanaj, autori i dyshuar i plagosjes së dyfishtë të Mentor Hasanaj dhe Xhelal Hasanaj në 11 tetor është vetëdorëzuar në policinë vendore të Shkodrës. Po ashtu është vetëdorëzuar edhe bashkëpunëtori i dyshuar, shtetasi Verzan Bajrakurti, kushëri i Ilirjan Hasanaj. Pas doëzimit në polici shtetasi Ilirjan Hasanaj ka pranuar autorsinë e plagosjes së dyfishtë duke thënë se është ai personi që ka kryer plagosjen ndërsa ka zbardhur edhe motivin që sipas autorit të dyshuar lidhet me një konflikt të vjetër pronësie.

“Unë jam personi që kam plagosur shtetasin Mentor Hasanaj dhe babain e tij. E pranoj autorësinë në atë ngjarje të ndodhur në 11 tetor. Unë i kam plagosur por dua të sqaroj se e kam bërë pa paramendim. Nuk kam qenë i parapërgatitur për një gjë të tillë. Thjeshtë e kam parë duke kaluar në rruge dhe i jam vënë mbrapa.

Armën e kam patur me vete sepse ka pasur disa kohë që e kisha dhe nuk është se e kam marrë atë ditë, më ka qëlluar me vete. I jam vënë mbrapa dhe e kam qëlluar por në ato momente kam qenë disi nën ndikimin e alkoolit. Thjeshtë e kam parë rastësisht teksa kalonte me makinë dhe e kam ndjekur në atë moment. Arsyeja e plagosjes lidhet me një problem pronësie tonën.

Është një konflikt i vjetër pronësie mes nesh dhe unë këtë histori e kam dëgjuar nga babai dhe kur e kam parë në atë moment duke qenë edhe i alkoolizuar më erdhi inat që e pashë dhe e kam ndjekur dhe e kam qëlluar por nuk kam pasur një plan të përgatitur. Duke qenë drejtor më erdhi në mendje se mund të na pengonte tek pronësia por çdo gjë ka qenë në atë moment. Nuk e dija që në makinë ishte edhe babai i tij dhe bashkëshortja dhe me ata nuk kam patur asnjë punë.

Ndërsa kusheriri im nuk ka patur asnjë ide se çfarë kam bërë unë por thjeshtë e kam thirrur duke i thënë që të më merrte sepse kisha nevojë por pa i treguar arsyen.

Ai nuk ka qenë aspak në dijeni të plagosjes apo faktit se unë kisha armë. Unë jam penduar maksimalisht për çfarë kam bërë dhe për këtë fakt edhe jam vetëdorëzuar në polici. Fillimisht kam qenë i tronditur dhe kisha frikë por tani e kam kuptuar dhe jam shumë shumë i penduar ndaj kam ardhur që ta pranoj çfarë kam bërë dhe të përballem me drejtësinë”.

Vetëdorëzimi i shtetasit Ilirjan Hasanaj në policinë e Shkodrës erdhi pas apelit që i bëri babai i tij Arben Hasanaj për t’u dorëzuar dhe për t’u përballur me drejtësinë pas provave biologjike dhe shkencore që vërtetojnë se është ai autori i dyshuar. Ilirjan Hasanaj është i dyshuar për veprën penale “Vrasje e më shumë se një personi” e mbetur në tentativë si dhe “armëmbajtje pa leje”.

Artikulli paraprakM.MADHE, MJETE TË REJA PËR ZJARRËFIKSEN
Artikulli tjetërSHKODËR, NË DY DITË POLICIA 60 GJOBA PËR MASKAT