Policia e Elbasanit ka parandaluar një vrasje në një fshat, duke arrestuar në kohë autorin. Në pranga ka rënë shtetasi Romeo Sejdini, 38 vjeç, nga fshati Gjergjen, i cili ishte nisur me pistoletë për të vrarë ish-bashkëshorten e tij.

Pas dyshimeve se 38-vjeçari qarkullonte i armatosur, policia ka ndërhyrë menjëherë, duke e arrestuar. Gjatë kontrollit, atij i është gjetur një pistoletë TT me fishekë në gojë.

Ndërkohë, nga hetimet paraprake ka rezultuar se Sejdini kishte planifikuar ta përdorte armën e zjarrit ndaj ish-gruas së tij, Sonila Muça, me të cilën ishte divorcuar një vit më parë.

Prej kohësh, ai i kishte kërkuar ribashkim duke e kërcënuar, por ishte refuzuar prej saj. Kjo situatë nuk ishte pranuar nga 38-vjeçari, i cili pasi i kishte bërë presion nuk kishte marrë përgjigje pozitive për t’u ribashkuar pas divorcit.

Kështu që, kishte marrë armën për ta vrarë. Policia bëri me dije se arma ka rezultuar pa leje.