Një lojtar futbolli i ekipit të Moskës në Rusi, “Lokomotiv” është gjetur i ngrirë për vdekje. Bëhet fjalë për 18-vjeçarin Alexey Lomakin, i cili rezultonte i zhdukur që prej datës 30 nëntor.

Mamaja e 18-vjeçarit të ndjerë ngriti alarmin, duke e denoncuar në polici rastin pasi i biri nuk u kthye në shtëpi pas datës 30 nëntor dhe as nuk kontaktoi me asnjëri.

Ajo tregoi për autoritetet lokale se i biri kishte shkuar tek klubi për ekzaminime mjekësore, ku qëndroi gjatë gjithë natës. Më pas besohet se ka dalë të pijë me një shok dhe telefoni i tij është lidhur me internet në datën 2 dhjetor.

E ëma tentoi ta telefononte dhe iu përgjigj një shofer taksie i cili rrëfeu se Alexey kishte lënë telefonin dhe çantën në taksinë e tij.

Mbetet e paqartë se çfarë i ka ndodhur pas asaj nate që kaloi jashtë por trupi i futbollistit u gjet në gjendje të ngrirë. Hetimet vazhdojnë ende.