Operacioni “Forca e Ligjit” solli në Shkodër katër kërkesa për plotësimin e formularëve mes të cilëve edhe për dy vëllezërit Ibrahim Lici dhe Muhamet Lici. Pas kësaj kërkese zyrtare të OFL-së, njëri prej tyre Ibrahim Lici është i pari në Shqipëri që refuzon t’i përgjigjet OFL-së dhe kjo për një sërë arsyesh.

Babai i tij Mustaf Lici në emër të djalit të tij thotë se Ibrahim Lici nuk është subjekt i këtij ligji pasi nuk është i dënuar nga asnjë gjykatë vendase apo e huaj. Po ashtu ndaj Ibrahim Licit, thotë babai i tij nuk ka asnjë masë sigurie nga ndonjë gjykatë vendase apo e huaj për ndonjë vepër penale dhe nuk është person nën hetim nga Prokuroria për asnjë çështje penale. Ja se çfarë thotë babait i Ibrahim Lici në përgjigjen refuzuese ndaj OFL-së:

“Unë Mustafa Lici ju kthej përgjigje në emrin e djalit tim Ibrahim Lici. Refuzon t’ju përgjigjet pasi Ibrahim Lici nuk është subjekt i këtij ligji dhe i padënuar nga asnjë gjykatë vendase apo e huaj. Nuk ka asnjë masë sigurie nga ndonjë gjykatë për ndonjë vepër penale, aktualisht as e huaj dhe as vendase. Nuk është person nën hetim nga Prokuroria për asnjë vepër penale”.

Ndërkohë në përgjigje të një shkrese të avokatit mbrojtës të Ibrahim Licit, Saimir Visha, prokuroria e Shkodrës i ka kthyer përgjigje në 20 janar të këtij viti se ndaj shtetasit Ibrahim Lici nuk ka asnjë procedim penal dhe se nuk është person nën hetim por thjeshtë është në kërkim policor për t’u marrë në pyetje si person që mund të ketë dijeni për ngjarjen kriminale të vëllezërve Bilali të vrarë në 2019. Ja se çfarë shkruan prokuroria në këtë përgjigje ndaj avokatit mbrojtës të Ibrahim Licit:

“Në përgjigje të kërkesës tuaj ju sqarojmë edhe njëherë se shtetasi që mbroni ju Ibrahim Lici nuk është nuk është marrë person në hetim në lidhje me procedimin penal të cilit ju i referoheni por është kërkuar të pyetet lidhur me ngjarjen për të cilën është regjistruar ky procedim penal dhe nuk është paraqitur dhe nuk është gjetur në banesë kur është kërkuar dhe për këtë arsye është shpallur në kërkim policor nga policia e Shkodrës.

Ju mund të kontaktoni më të dh eta njoftoni që të paraqitet për të dhënë deklarime në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit pasi ky shtetas nuk ka cilësinë e personit nën hetim apo cilësi të ndonjë pale tjetër proceduriale. Jemi të gatshëm t’ju sqarojmë për çdo kërkesë tjetër apo pretendim që keni dhe për marrjen e çdo të dhëne apo prove që ju kërkoni”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Artikulli paraprakSHKODËR, POLICIA ARRESTON TË DËNUARIN PËR PENGMARRJE
Artikulli tjetërAPLIKIM ONLINE PËR HIPOTEKAT/ RAMA NJOFTON LEHTËSIMIN E PROCEDURAVE NË KADASTËR: REVOLUCION, PËRGJIGJA PËR 5-10 MINUTA