Kjo javë do të mbyllet me shi por edhe ajo që vjen nuk duket premtuese. Sipas IGJEUM, duke filluar nga pasditja e sotme dhe të hënën në shumicën e qarqeve priten reshje mesatare deri lokalisht intensive, të shoqëruara edhe me shtrëngata.

Reshjet pritet te bien kryesisht nesër pasdite.

Në veri në zonat malore priten edhe reshje në formë dëbore në 700 m mbi nivelin e detit. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se në lumenjtë Drin,

Buna dhe liqenin e Shkodrës do të ketë rënie të prurjeve. Nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të jenë të larta, por do vazhdojnë të ulen.

Parashikimet e IGJEUM tregojnë ulje të niveleve dhe prurjeve në pjesën e Nën Shkodrës dhe në zonat periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të liqenit përgjatë datave 25, 26 dhe 27 mars 2018.

Nga llogaritjet e IGJEUM ka kaluar piku i prurjeve dhe në ditët në vazhdim do të kemi ulje të rrezikut. Në pjesën tjetër të territorit nuk parashikohen probleme nga përmbytjet.