Lajmet, telenovelat, debatet politike janë kthyer në një mjet të rëndësishëm të kalimit të kohës për shqiptarët. Në një anketë të fundit të INSTAT, në më shumë se 16 mijë persona, u gjet se nëntë nga dhjetë shqiptarë janë të ekspozuar ndaj mediave.

Televizioni është media dominuese: 91% e grave dhe 88% e burrave shikojnë televizor të paktën një herë në javë.

Burime të tjera informacioni janë gazetat (17% e grave dhe 25% e burrave lexojnë gazeta të paktën një herë në javë) dhe radio (15% e grave dhe 30% e burrave dëgjojnë radio të paktën një herë në javë). Vetëm 8% e femrave dhe 10% e meshkujve nuk janë të ekspozuar ndaj asnjë prej tre mediave tradicionale.

Interneti është gjithashtu një medium i përdorur gjerësisht nëpërmjet të cilit po ndahet gjithnjë e më shumë informacioni. Ky përdorim përfshin shfletimin e faqeve të internetit, email-it, ose mediave sociale. Rreth dy të tretat e grave dhe burrave të moshës 15-49 vjeç përdorin internet të paktën një herë në javë.

Midis anketave 2008-‘09 dhe 2017-‘18 është shënuar rënie e ndjeshme e tre mediave tradicionale në informim. Ndër femrat e moshës 15-49 vjeç, proporcioni i leximit të gazetave ra nga 34% më 2007 në 17% në 2018.

Ndërsa përqindja që ka parë televizor u zvogëlua nga 98% në 2007 në 91% më 2018. Përqindja që dëgjonte radio ra nga 36% në 15%. Vetëm 2% nuk ​​ishin të ekspozuar ndaj asnjë prej tre mediave në vitin 2008 krahasuar me 10% në 2018.

Burrat në zonat urbane kanë më shumë akses në gazeta, televizion dhe radio (9% kundrejt 5%), por modeli është i kundërt me gratë: 14% e grave në zonat urbane janë të ekspozuara ndaj të tre mediave, krahasuar me 16% të grave në zonat rurale.

Ekspozimi ndaj tre formave të mediave masive rritet me nivelin arsimor. Përqindja e grave që ndjek të tre mediat, rritet nga 2% te gratë me arsim fillor në 14% në mesin e atyre që kanë një arsim universitar ose pasuniversitar. Midis burrave, rritja korresponduese është nga 1% në 19%.

Përqindja e popullsisë 15-59 vjeç, që ka akses në media të paktën një herë në javë

Zgjerohet përdorimi i internetit

Të anketuarit u pyetën nëse ata përdorën internetin të paktën një herë në javë, më pak se një herë në javë, apo aspak. Anketa gjeti se përdorimi i internetit është shumë i përhapur dhe meshkujt e përdorin më shumë se femrat (84% kundrejt 73%).

Ndër femrat e moshës 15-49 vjeç, 64% e përdorin atë të paktën një herë në javë, 9% e përdorin atë më pak se një herë një javë dhe 27% nuk ​​e përdorin fare. Mes meshkujve të kësaj moshe, këto përmasa janë 67%, 17% dhe 16% respektivisht.

Si një medium i ri, interneti përdoret shumë më tepër nga të rinjtë. 82% e femrave dhe 80% e meshkujve të moshës 15-19-vjeçare e përdorin të paktën një herë në javë, krahasuar me 30% të femrave dhe 25% të meshkujve 50-59 vjeç

Artikulli paraprakGratë vs meshkujt shqiptarë/ Si konkurrojnë për pagat, bizneset, politikën
Artikulli tjetërGRATË SHQIPTARE MË PUNËTORET NË RAJON