Në një artikull të televizionit amerikan “Fox News” zbulohen detaje tronditëse për ministrin e Diasporës Pandeli Majko, i cili dyshohet se kërcënohet nga inteligjenca iraniane.
Fox News trajton problemin e opozitës iraniane në mërgim, muxhahedinëve, dhe një plan të qeverisë iraniane për infiltrimin e agjentëve sekretë në Europë për të kryer sulme terorriste kundër tyre.

 

Majko ka zbuluar për televizionin amerikan se “zyrtarë amerikanë i kanë thënë se duhet të rrisë masat e sigurisë pas një informacioni sekret për një kërcënim kundër tij”.
Majko njihet si mbështetës i kauzës së muxhahedinëve iranianë, 3000 prej të cilëve strehohen në një kamp në Shqipëri.

 

“Nuk kam frikë”, tha Majko teksa shtoi se “strategjia e Iranit në rajon është e pashembullt”.

 

Në fillim të këtij viti, dy agjentë iranianë u arrestuan në Shqipëri me akuzën e planifikimit të sulmeve terroriste. Më pas rezultoi se arrestime të ngjashme ishin bërë në disa shtete të Europës dhe ky rrjet dyshohet se planifikonte të sulmonte konferencën e përvitshme të muxhahedinëve të mbajtur në Francë.