ROMA AFROHET ME KREUN, MILANI DËSHTON SËRISH. Superndeshja e javës së 17-të e Serisë A, ajo mes Juventusit dhe Interit u mbyll në barazim 1-1. 

Bardhezinjtë zhvilluan një pjesë të parë mjaft të mirë, duke arritur të kalonin në avantazh që në minutën e pestë të takimit me të përhershmin Tevez. Pjesa e parë u luajt në diktatin e të zotëve të shtëpisë, me një Pogba në super formë, por fati nuk ishte me të kur me një veprim të jashtëzakonshëm teknik shmangu mbrojtjen e Interit, por u ndal nga Handanovic.  Në pjesën e dytë ishte një Inter krejtësisht tjetër nga ai i pjesës së parë, duke krijuar raste të shumta shënimi i ndihmuar edhe nga gjermani Podolski, i cili bëri një paraqitje të mirë në ndeshjen debutuese. Në minutën e 64 Icardi e dërgoi topin në portën e Buffon duke barazuar shifrat. Kovacic e la skuadrën e Mancini-t me 10 lojtarë pas daljes me kartonin e kuq, por kjo gjë nuk ndikoi në rezultatin përfundimtarë. Por kjo ndeshje ka patur dhe nerva sidomos për lojtarët e Interit. Në minutën e 86 i sapo hedhur në fushën e lojës, Osvaldo shkarkon të gjithë tensionin e sfidës mbi Icardi-n, fajtor që nuk i shërbeu një top, i cili mund të ndryshonte fatet e takimit. Nëse nuk do ishte për Guarin, që ndërhyri mes lojtareve, ky momente mund të përfundonte me keq. Menjëherë pas takimit Icardi ka kërkuar ndjesë: “Këto janë gjëra që ndodhin në fushë, por tashmë gjithçka shkon mirë. Gabova unë, ai ishte vetëm, por pashë që mu krijua një hapësirë dhe provova të gjeja kuadratin”, u shpreh Icardi. Pas javës së 17-të Juventusi vazhdon të udhëheq, por tashmë Roma është vetëm 1 pikë larg pas fitore së arritur ndaj ekipit të Udinezës. Ndërsa ekipi i Milanit është mundur nga modestët e Sasuolës duke zhgënjyer sërish.