Që prej fillimit të vitit 2014 energjia është bërë sektori që ka tërhequr investimet e huaja në Shqipëri, duke u bërë njëkohësisht dhe shpëtimtari i tyre.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i investimeve në energji u rrit me shpejtësi, nga vetëm 13 milionë euro në fillim të 2014-s, në gati 1.9 miliardë euro në qershor 2018.

Që prej tremujorit të dytë 2017, stoku i investimeve në energji u rendit në vend të parë, duke ia kaluar telekomunikacioneve dhe bankave që mbanin flamurin prej vitesh.

Dy investime të mëdha në energji, punimet për hidrocentralin në lumin Devoll nga Statkraft (holandeze dhe pastaj norvegjeze) dhe gazsjellësi TAP i kanë dhënë hov investimeve në këtë sektor.

Së bashku, të dy investimet llogariten në rreth 2 miliardë euro, sipas burimeve zyrtare. Një tjetêr investim i madh në energji është Hec Ashta nga austriakët e Verbund.

Në vend të dytë, sipas stokut të investimeve janë “Informacioni dhe komunikacioni”, që lidhen kryesisht me fluksin e lartë nga kompanitë greke në telekomunikacione, pas viteve 2000.

Por vitet e fundit, investimet në telekomunikacione janë tkurrur, teksa konkurrenca në sektor është shtuar dhe tregjet janë maturuar dhe sipërmarrësit e mëdhenj po rezultojnë me humbje, pas periudhave të arta në 2006-2012, kur normat e fitimit i kalonin 50%.

Sipas statistikave, në fund të qershorit 2018, stoku i investimeve në telekomunikacione ishte 1.17 miliardë euro, duke rënë me 42 milionë euro në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Bankat janë sektori tjetër që tërhoqën kapital në Shqipëri në fillim të viteve 2000. Stoku i investimeve në aktivitete financiare dhe të sigurimit në qershor 2018 ishte 1.08 miliardë euro, duke u renditur në vend të tretë.

Vitet e fundit investimet në këtë sektor kanë ardhur në rritje të lehtë, që më shumë ka qenë i nxitur nga kërkesat rregullatore për kapital të Bankës së Shqipërisë, sesa nga dëshira e vetë bankave për t’u zgjeruar.

Përkundrazi, disa prej tyre duan të dalin nga tregu shqiptar.

Sektori i katërt që ka tërhequr më shumë investime në vite është industria nxjerrëse, kryesisht në fushën e naftës dhe minerale, që janë shfrytëzim i pasurive minerare. Në fund të 6 mujorit të parë stoku në këtë sektor ishte 928 milionë euro.

Më pas renditen, industria përpunuese, aktivitete profesionale, aktivitete të pasurive të paluajtshme, etj. Bujqësia në gati 30 vjet ka tërhequr vetëm 10 milionë euro.

Artikulli paraprakZJARR NË NJË APARTAMENT, HUMB JETËN NJË 60-VJEÇAR, JETONTE I VETËM
Artikulli tjetërKULLA E AZEM GALICËS, OBJEKTI QË FSHEH HISTORI E MISTERE