Të paktën 300 ish-të përndjekurve politikë në rang vendi u është bllokuar dhënia e këstit të 8 të dëmshpërblimeve, 20 prej të cilëve janë nga Shkodra.

Kryetari i shoqatës për këtë kategori në Shkodër bën më dije se janë adresuar disa ankesa, të cilëve u është bllokuar dhënia e masës së dëmshpërblimit me pretekstin e mungesës së dokumentacionit.

Sipas tij ky është thjesht një justifikim për të vonuar shpërndarjen. Drangu tregon se shtresa që ai përfaqëson i frikësohet shtyrjes së afatit të shpërndarjes së shumës prej 14 milionë dollarësh që është akorduar për kategorinë e parë, të përndjekurit që aktualisht jetojnë.

Ndërkohë, Drangu i ka bërë apel ministres teknike që të punojë për përshpejtimin e procedurave sa i përket shpërndarjes së këstit të 8 për kategorinë parësore.

Shoqata bën me dije se qeveria ka akorduar gjithsej 20 milionë dollarë për ish-të përndjekurit, ndër të cilat 14 milionë për shtresën parësore. Teksa kanë ngelur edhe 5 muaj për shpërndarjen, përfaqësuesit e kësaj shtrese ende ngelen skeptikë nëse shuma do të shpërndahet gjatë 2017-s.

Artikulli paraprakKQZ MIRATON REZULTATIN PËRFUNDIMTAR TË ZGJEDHJEVE
Artikulli tjetërTREGJET AMBULANTE, JO VETËM NË RUS