Studentët kanë bojkotuar sërish mësimin në ditën e katërt duke protestuar përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sportit pas marshimit nga fakultetet. Ndërkohë që protestës në Tiranë i janë bashkuar edhe studentë ngë Elbasani, Durrësi dhe Shkodra.

Qeveria u tërhoq dje duke shfuqizuar pikën 4 të ligjit nr. 288 të majit të 2018 për tarifën për kreditet për përsëritësit, ndërsa për tre pikat e tjera u njoftua ngritja e grupeve të punës por pavarësisht këtij fakti ata vijojnë protestën.

Zyrtarisht ata kërkojnë plotësimin edhe të tre kërkesave të tjera, përgjysmim i tarifës së studimit, përmirësimi i kushteve të konvikteve dhe që bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord.

Protesta ka sjellë bllokimin e trafikut në Rrugën e Durrësit ku ndodhet Ministria e Arsimit dhe Sportit. Studentët akuzojnë se po tentohet që të përçahen, por ia kanë bërë të qartë ministres Nikolla se nuk do të lëvizin pa arritur qëllimet.

Ata kanë paralajmëruar se protesta mund të përshkallëzohet nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tjera. Ata nuk kanë përjashtuar as grevën e urisë.

Artikulli paraprakATMOSFERË FESTIVE NË VAU-DEJËS
Artikulli tjetërSHKODËR, BLLOKOHEN 18 VARKA TË PAREGJISTRUARA