Zbardhet vrasja e 20-vjeçares shqiptare në Itali, Anxhela Meçani, e cila punonte si prostitutë. Policia italiane ka arrestuar pasditen e djeshme, një shtetas italian, i cili ka qenë klienti i fundit i prostitutës shqiptare.

Anxhela u hodh nga një automjet në një autostradë pranë Torinos dhe humbi jetën në spital si rrjedhojë e plagëve të rënda të marra në trup. Pas arrestimit të autorit të dyshuar në provincën e Cuneos, policia ka sekuestruar edhe automjetin e tij.

Mësohet se vrasësi kishte kërkuar shërbime seksuale nga Anxhela dhe ishte larguar me të në drejtim të një pylli. Besohet se pas marrëdhënieve seksuale, ai ka refuzuar të paguajë 20-vjeçaren shqiptare e cila është revoltuar dhe i ka marrë atij me forcë paratë.

Në këtë moment, autori dyshohet se ka hapur derën e pasagjerëve dhe hedh me forcë nga automjeti të renë, e cila për pasojë gjeti vdekjen.

Skena e ngjarjes së rëndë u pa nga disa dëshmitarë okularë të cilët njoftuan policinë italiane si dhe dhanë detaje për automjetin nga ku u hodh e reja.

20-vjeçarja shqiptare nga Fieri, ishte larguar disa kohë më parë në drejtim të Italisë ku ushtronte prostitucion.