Italia vazhdon të numërojë viktimat si pasojë e motit të keq që ka përfshirë pjesën më të madhe të vendit ditët e fundit. Ndërkohë që kanë nisur llogaritjet për dëmet material, ndërsa zona të tëra janë ende të izoluara.

Moti i keq shkakton ende viktima në Itali, e fundit është një turiste gjermane, e cila ndodhej në Itali me familjen e saj dhe u godit nga një rrufe gjatë një eskursioni në jugperëndim të Sardenjës.

Në spitalin e Trentos ka humbur jetën dhe një 34-vjeçar, i cili ishte goditur gjithashtu nga një rrufe katër ditë më parë.Por gjendja e alarmit në Itali është ende aktive.

Për zonat më të goditura në mënyrë të vecantë Liguria, Veneto e Friuli Venecia Xhulia, qeveria italiane ka vendosur që të pezullojë taksat.

Burime të Ministrisë së Ekonomisë në Itali konfirmuan se banorët e këtyre zonave do të përjashtohen nga detyrimet fiskale deri në momentin që gjendja t’i rikthehet normalitetit.

Edhe pse parashikimet metereologjike flasin për një përmirësim të motit në Siçili dhe Sardenjë, mbrojtja civile ka vendosur të mbajë gjendjen e alarmit.

Disa banka në zonat e prekura kanë pezulluar për 12 muaj këstet e kredive dhe kanë ofruar kredi të buta për këdo që ka nevojë.