Ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza, pas konsultimeve me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministrin e Brendshëm dhe Ministrin e Transportit, nënshkroi një urdhëresë, e cila parashikon ndalimin e hyrjes dhe tranzitit në Itali për njerëzit që në katërmbëdhjetë ditët e mëparshme kanë qëndruar ose ata kanë kaluar nëpër disa vende me situatë pandemike të rënduar.

Në listën e 13 vendeve janë edhe dy vende ballkanike, Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, por jo Shqipëria.

Lista e vendeve: Armenia, Bahrein, Bangladesh, Brazil, Bosnje-Hercegovinë, Kili, Kuvajt, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Oman, Panama, Peru, Republika Dominikane

Për të garantuar mbrojtjen shëndetësore, fluturimet direkte dhe indirekte për në vendet e treguara më lart gjithashtu janë pezulluar.

Roberto Speranza u shpreh se “Në botë, pandemia është në fazën e saj më akute. Ne nuk mund të çojmë dëm sakrificat e bëra nga italianët në këto muaj. Kjo është arsyeja pse ne kemi zgjedhur linjën e maturisë maksimale në situatën Covid “.

Në datën 1 korrik, Bashkimi Evropian hapi kufijtë për vendet jashtë BE, por u përjashtua Shqipëria. Burimet e BE-së pohojnë se për një kategori të konsiderueshëm të qytetarëve nuk duhet të vlejnë kufizimet, ku ata shqiptarë që kanë leje qëndrimi në vendet e BE do të lejohen të hyjnë dhe të dalin,

lëvizjet për punë sezonale në bujqësi, udhëtimet për studime, për diplomatët, punonjësit shëndetësorë dhe disa kategori tjera. Po ashtu kufizimet nuk do të vlejnë për personat të cilët do të kalojnë tranzit.