Kanë hyrë në fuqi Vendimet e Këshillit të Ministrave për rritje page për kategori të caktuara të punonjësve shtetërorë. Në këto kategori bëjnë pjesë ushtarakët, mësuesit dhe edukatorët e shkollave dhe kopshteve të sistemit parauniversitar, diplomatët, etj.

Këto Vendime kanë hyrë dje në fuqi, pas publikimit në Fletoren Zyrtare të radhës, por pagat e punonjësve të prekur nga to do të rriten duke filluar nga 1 prilli 2019.

Sa i përket sistemit arsimor, një drejtori të arsimit të mesëm paga sipas pozicionit i shkon në 61.000 lekë, ndërsa deri tani ishte 57.750 lekë në muaj. Kjo pagë ka si shtesa pagesën për vjetërsi në punë, si dhe pagesa të tjera në përputhje me nivelin arsimor të drejtorit. Rritja llogaritet në masën 6 për qind. Ndërkohë që për një edukatore kopshti me shkollë të mesme paga bazë shkon nga 31.350 lekë, në 34.000 lekë, me një rritje gati 9 për qind.

Sa u përket ushtarakëve, paga e gjeneralëve dhe paga e gradave të tjera më të larta nuk lëviz, por rritja është e ndjeshme në bazë të piramidës së pagave. Kështu, paga më e ulët, që i përket “ushtarit të parë” tani do të jetë 39.300 lekë, nga 33.600 lekë në muaj, me një rritje prej 17 përqindësh.

Sikurse është deklaruar zyrtarisht kohët e fundit, mbi 65 mijë punonjës përfitojnë nga rritja e pagës, sipas vendimeve të qeverisë, me një kosto vjetore për buxhetin e shtetit prej 3 miliardë lekësh ose 24 milionë eurosh.

Në kategoritë që përfitojnë përfshihen 36 mijë mësues të Arsimit Parashkollor, Arsimit Bazë, Arsimit të Mesëm të Përgjithshëm dhe atij Profesional do përfitojnë rritje të pagës mesatarisht prej 7%; 4.650 mjekë dhe 13.765 infermierë dhe staf shëndetësor me një rritje 7%; 6.800 ushtarakë të cilët përfitojnë një rritje mesatare të pagës mujore në masën 7%; 3.560 punonjës të sistemit penitenciar(policia e burgjeve) të cilët përfitojnë një rritje mesatare të pagës mujore me 7% dhe 308 punonjës të përfaqësive diplomatike jashtë vendit të cilët përfitojnë një rritje të diferencuar të pagës mujore që shkon nga 7-20%.

Në vitin 2000 paga mesatare bruto në Shqipëri në raport me fuqinë blerëse ishte sa 13 për qind e nivelit të pagave në Gjermani, ndërsa në vitin 2018 ato, ndonëse mbeten ende larg, në rreth 30 për qind të nivelit te pagave të Gjermanisë, sidoqoftë kanë shënuar një rritje reale. Sipas institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në raportin e parashikimit 2019, Shqipëria bashkë me Moldavinë dhe Ukrainën u renditën në vendet me nivelin me të ulët të pagave ndër vendet në tranzicion në raport me Gjermaninë.

Artikulli paraprakMUNDËSI PUNËSIMI NË AMBASADËN E SHBA NË TIRANË! AFATI DERI MË 13 PRILL /KRITERET
Artikulli tjetërVASILI: 390 LEJE NDËRTIMI VETËM NË 2018, ÇFARË KRIMI?!