Gati të gjithë zërat e të ardhurave të buxhetit të shtëtit për periudhën nga janri deri në fund të gushtit të këtij viti janë realizuar me rritje krahasuar me një vit më parë. Po kështu, investimet kanë shënuar një rritje të ndjeshme, ndërkohë që bilanci ende është me suficit.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar dje statistikat zyrtare lidhur me të ardhurat totale për 8-mujorin 2018, të cilat u realizuan në vlerën 294 miliardë lekë,

me një rritje 3% ose 9 miliardë lekë më shumë se 8-mujori i vitit 2017 dhe me realizim kundrejt planit të periudhës në masën 99%.

Vetëm të ardhurat nga “Akciza” rezultojnë me minus, pasi janë realizuar në vlerën 29.7 miliardë lekë, me realizim kundrejt planit në masën 98%, por 1.6% më të ulta se një vit më parë.

Sipas ministrisë, faktor negativ ka qenë dobësimi i valutave në këmbimet ndaj lekut.

Të ardhurat nga “Renta Minerare” në eksport janë realizuar në vlerën 1.8 miliardë lekë, me një rritje 17.5% ose 269 milionë lekë më shumë krahasuar me 8 mujorin e vitit 2017.

Krahasuar me vitin e kaluar të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur, si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar dhe si rezultat i rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare.

Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 115 milionë lekë për shkak të rënies së sasisë së eksportuar,

me rreth 297 mijë ton si dhe janë ulur me 126 milionë lekë, për shkak të rënies së çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga TVSH-ja në total, janë realizuar në vlerën 93.3 miliardë lekë, me rritje 3.9% ose 3.5 miliardë lekë më shumë se 8-mujori i vitit 2017 dhe me realizim në masën 98.8% të planit.

Rritja e importit të karburantit ka ulur prodhimin vendas të këtij produkti dhe si rrjedhojë të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit.

Kurse të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin janë realizuar në vlerën 21.7 miliardë lekë, me rritje 2.9% ose 658 milionë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale janë realizuar në vlerën 25.1 miliardë lekë, me rritje 14.1% ose 3.1 miliardë lekë më shumë se 8-mujori i vitit 2017 dhe +2.9% ose 706 milionë lekë më shumë krahasuar me planin.

Nga ana tjetër, shpenzimet e përgjithshme publike arritën në rreth 289.7 miliardë lekë, me një rritje prej 1.7 përqind ose rreth 5.54 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 dhe me një realizim në masën 98.1 përqind të planit të periudhës.

Shpenzimet kapitale në fund të muajit të tetë të vitit paraqesin një realizim në masën rreth 39.6 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ky zë është 12.8 përqind më i lartë ose rreth 4.7 miliardë lekë më shumë.

Niveli i suficitit në muajin e tetë të vitit 2018 rezultoi në rreth 4.08 miliardë LEK, ose katër herë më i lartë se një vit më parë.