Instituti i Shëndetit Publik jep mesazhin e rëndësishëm për të gjitha nënat, që ushqejnë foshnjat e tyre me gji, dhe që mund të rrezikojnë në këtë kohë pandemie. ISHP thekson se studimet e deritanishme nuk e kanë konfirmuar se koronavirusi mund të transmetohet te fëmija përmes qumështit të gjirit. Ja mesazhi i plotë i Institutit të Shëndetit Publik:
“1-7 Gusht 2020 është Java Botërore e Ushqyerjes me gji.

Qumështi i gjirit është alternativa më e mirë për të ushqyer foshnjat gjatë vitit të parë të jetës e më tej. Nëpërmjet tij fëmijët marrin gjithë elementët e nevojshëm ushqimor për mirërritjen dhe zhvillimin dhe për më tepër antitrupat mbrojtëse ndaj infeksioneve të ndryshme. Ushqyerja me gji mbetet çelësi i sigurt për një shëndet të mirë në vazhdimësi. Gratë me COVID-19 gjithashtu mund të ushqejnë foshnjat me gji.

Ato duhet: Të lajnë duart shpesh me ujë e sapun ose t’i dezinfektojnë ato me pastrues duarsh me bazë alkooli, Të mbajnë maskë gjatë çdo kontakti me beben, Të teshtijnë apo kolliten në një shami letre higjenike njëpërdorimshe, Të pastrojnë dhe dezinfektojnë rregullisht sipërfaqet e prekura”.

Java Botërore e Ushqyerjes me Gji është një aksion madhor i cili zhvillohet çdo vit në rang botëror gjatë muajit Gusht. Kjo javë organizohet nga Aleanca Botërore për Veprim për Ushqyerjen me Gji me mbështetjen e fuqishme të UNICEF dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Çdo vit përzgjidhet një temë e veçantë mbi të cilën organizohet Java Botërore e Ushqyerjes me Gji, dhe jepen rekomandimet për aktivitete të ndryshme në të gjitha vendet e botës që e festojnë këtë javë.

Qëllimi i Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji është nxitja dhe inkurajimi për ushqyerjen me gji të foshnjave për të përmirësuar shëndetin e tyre. Mbrojtja, promovimi dhe mbështetja e ushqyerjes me gji është një qëllim i vlefshëm dhe shpëton jetë ndërsa synon edhe angazhimin sa më shumë që të jetë e mundur të grupeve dhe njerëzve të moshave të ndryshme.