Ka dhënë dorëheqjen mesditën e kësaj të enjteje, zëvendës ministri i Arsimit, i emëruar 2 javë më parë, Taulant Muka.

Muka i ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit Edi Rama, ku thotë se për arsye etike, morale dhe profesionale, largohet nga ky post ministror. Muka falënderon Ramën për besimin e dhënë.

“I nderuar z. Kryeministër,
Për arsye etike, morale dhe profesionale, dhe të papajtueshmërisë që unë kam në modelin e punës të aplikuar në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ju paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i zëvendës ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë”-thuhet në letrën e Mukës.

 

Si u emërua Taulant Muka
Mjeku Taulant Muka, u emërua si zëvendës ministër Arsimi, pasi denoncoi për plagjiaturë ish-zëvendësministrin e Arsimit, Ervin Demo. Pas denoncimit të Mukës, ministria e Arsimit verifikoi rastin dhe 19 tetor Demo dha dorëheqjen.

Më 31 tetor, ai i zuri vendin Demos në postin e tij në MASR. Pak ditë më parë, Muka reagoi edhe për arrestimin e pedagogut të Ekonomikut, Dritan Shoraj që u prangos pas dënimit për trafik droge në Itali.

Muka tha se ky ishte një turp për auditoret shqiptare dhe se do të bëhej një verifikim i plotë për këtë situatë.

PUBLICITET