Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë për 9 punonjësit e drejtorisë rajonale të tatim-taksave të cilët u arrestuan duke u akuzuar për mospërmbushje të detyrimeve ligjore. Kështu nga 9 punonjës për 3 prej tyre është vendosur “arrest në burg me afat”, 2 janë liruar me garanci pasurore me nga 5 mijë euro, dy të tjerë janë lënë në “arrest shtëpie në kushte spitalore” ndërsa për dy të tjerë ende nuk është dhënë vendimi.

Kështu gjyqtarja Izabela Radovani për Gjon Prronaj, Kreshnik Dibra dhe Erxhan Meta ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg me afat”. Kështu seanca e radhës do të jetë me 30 korrik për këta 3 punonjës të tatimeve. Uarda Albunesa, përgjegjësja e sektorit të verifikimit në terren është liruar falë garancisë pasurore prej 5 mijë euro ndërkohë që është pezulluar nga ushtrimi i detyrës që mbante deri tani. Erisa Llukaçej po ashtu është liruar me anë të garancisë pasurore prej 5 mijë euro. Albunesa dhe Llukaçej do të ndiqen të lira. Dy punonjës të tjerë, Gent Bilali dhe Rrok Lorja ndodhen të shtruar në spitalin rajonal të Shkodrës dhe për të dy gjykata vendosi “arrest shtëpie në kushte spitalore”. Tashmë pritet vendimi për dy të fundit që janë Nikolin Arra dhe Fatjon Dibra të cilët ende nuk kanë dalë përpara gjyqtares Radovani. Nga sa mësohet gjatë seancave që janë zhvilluar individualisht për secilin prokurori i çështjes Arben Spaçi ka kërkuar “arrest në burg pa afat” por në asnjë rast organi i akuzës nuk ka paraqitur fakte të mjaftueshme duke bërë që gjykata të lehtësojë masën e sigurisë. Po ashtu gjatë seancave prokurori Spaçi mësohet të ketë thënë se disponon edhe inçizime audio që do t’ia paraqes gjykatës në vazhdimësi. 9 punonjësit e tatim taksave kanë patur akuza të ndryshme që nisin që nga “shpërdorimi i detyrës”, “korrupsioni pasiv” dhe deri tek “mos reagim ndaj subjekteve”. Pjesa më e madhe e tyre janë grupet e terrenit në plazhin e Velipojës por edhe grupet e kontrollit për lojërat e fatit. Pas seancave të para duhet pritur në vazhdimësi se çfarë vendimesh do të marrë gjykata e Shkodrës.