Në mbledhjen e fundit për këtë vit të Këshilit Bashkiak të Tiranës opozita mungoi. Por kryebashkiaku Erion Veliaj akuzoi kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe deputeten Jorida Tabaku se kanë ndërtuar pa leje.

Për këtë Veliaj tha se do të përballen me drejtësinë.

Veliaj: Kam pritur prej kohësh që prokuroria të veprojë, nuk po vepron. Do të shkoj ta çoj vetë në Prokurori.Kryetari i bashkisë i jep leje vetes së vet, që nga kati i 12 të shkojë në katin e 13. Familja Tabaku ka marrë 21 340 metra ndërtim.

Ai u ndal dhe te protesta e studentëve, duke nënvizuar dialogun si të rëndësishëm për zgjidhjen e problematikave, ndërsa shtoi se bashkia do tu mundësojë të rinjve kushte dinjitoze për jetesë.

Veliaj: Si bashki e Tiranës jemi angazhuar të jemi pjesë e paktit për studentët. Gjërat zgjidhen me dialog, nuk zgjidhen me ulërima.

Buxheti i vitit 2019 në total rreth 18 miliard lekë u miratua me votat e PS dhe PDIU-së dhe sipas Veliaj do të mundësojë ndërtimin e 17 shkollave si dhe investime në infrastrukturë, çerdhe dhe kopshte.

Veliaj: Rehabilitimi i bulevardit “Zogu i Parë” nga sheshi “Skenderbej” deri te Bulevardi i Ri dhe ajo do të kthehet në një hapësirë komerciale, rehabilitimi i parkut “Rinia”, i cili do të kthehet me një pamje komplet tjetër në 2019.

Edhe pse shoqëria civile u shpreh kundër vendosjes së gjobave për disa shkelje që bien në kundërshtim me të drejtat e njeriut, bashkia e miratoi propjektvendimin, duke i cilësuar këto rregulla normale.

Veliaj: Janë 83 gjëra që nuk lejohen në asnjë vend normal. Ka të bëjë me një faturim të saktë që dëmtuesi paguan.

Këshilli miratoi edhe listën me 1100 familjet që përfitojnë nga kredia e butë.

Po ashtu, kryetari Veliaj tha se në Tiranë nuk do të mbyllen vetëm pikat e basteve, por edhe strip-klabet, të cilat nga 1 marsi duhet të zhvendosen larg zonave të banuara.

Veliaj: Deri dje kemi pasur disa anomali ligjore dhe thoshte dikush unë kam leje mjedisore. Si mund të kesh leje mjedisore për gomisteri poshtë pallatit apo lavazh me presion te ballkoni i tjetrit.

Thoshte kam leje mjedisore përballë shkollës “Sami Frashëri” për klab striptist. Ça do me thënë kjo?Për sa kohë ky qytet ka zot dhe ka zgjedhur një këshill do të vendosim ne, sigurisht duke parë dhe pëlqimin e banorëve.

Të gjitha strip-klabet në Tiranë, afati është deri në 1 mars për tu larguar nga zonat e banuara të qytetit të Tiranës. Nuk është normale që përballë çdo shkolle ka strip-klabe, ka ardhur koha ti përzëmë nga qyteti. Me këtë vendim, është bashkia e Tiranë që jep autorizimin final për çfarëdolloj biznesi.

PUBLICITET