Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Johanes Hahn në një intervistë për mediat gjermane është shprehur se e kupton skepticizmin për Shqipërinë dhe Maqedoninë kur bëhet fjalë për hapjen e negociatave.

Megjithatë, tha ai, reformat e nevojshme mund të arrihen më së miri gjatë procesit të pranimit. Hahn shtoi se Shqipëria dhe Maqedonia duhet që të vendosin para drejtësisë ‘peshqit’ e mëdhenj, pasi në të kundër negociatat mund të ndërpriten, nëse do të hapen në fund të qershorit.

“Unë mund ta kuptoj skepticizmin, por gjithashtu nuk them se Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë janë tashmë të gatshme për pranim.

Megjithatë, reformat e nevojshme mund të arrihen më së miri gjatë procesit të pranimit. Merrni shembullin e korrupsionit.

Nga pikëpamja ligjore, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një situatë ligjore që është e krahasueshme me tonat.

Por, në bisedimet e pranimit, i kushtojmë vëmendje faktit se ligjet zbatohen gjithashtu, rastet e korrupsionit vërtet sjellin para drejtësisë peshqit e mëdhenj që nuk kursehen.

Pa progres në këtë drejtim, ne mund të ndërpresim negociatat. Pra, ne mund të kapërcejmë gjendjen akoma të pakënaqshme të sistemeve ligjore në Shqipëri dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë kur të fillojmë bisedimet e pranimit”

Në 17 Prill, KE rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë, ndërsa në fund të qershorit do të vendoset nga vendet anëtare. Deri tani tre janë vendet skeptike, Franca, Gjermania dhe Holanda.