Kryeministri Rama ka reaguar menjëherë pas zhbllokimit dhe kalimit të të gjithë personave drejt Greqisë nga pika kufitare e Kakavijës, që prej ditësh ishte kthyer në makth për ata që donin të kalonin në shtetin fqinj.

Rama falenderon të gjithë strukturat dhe autoritet shtetërore që u përfshinë në këtë aksion, ndërsa nuk harron as Greqinë, e cila thotë se u përfshi pa rezerva për të lehtësuar situatën.

Më tej, kreu i qeverisë bën thirrje që nga sot, të gjithë ata që nisen drejt Greqisë të plotësojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm në mënyrë që mos të krijohen më radhë të tilla.

“FALEMINDERIT të gjithë atyre që kontribuan për zgjidhjen e ngërçit të rëndë në pikën kufitare të Kakavisë; qytetarëve në radhë të parë, që në shumicën dërrmuese patën mirëkuptim e durim megjithë hallin e madh; Emergjencave Civile, forcave të ushtrisë e të policisë,

trupës së Urgjencës Shëndetësore dhe strukturave vendore, që u gjendën pranë njerëzve me përkushtim e pa orar; të gjithë atyre në vendin fqinj që u përfshinë pa rezervë në përpjekjen për ta lehtësuar situatën, në kushtet kur regjimi i ri kufitar e bënte punën për zgjidhjen e saj tejet të vështirë.

U uroj nga zemra një qetësim sa më të shpejtë dhe rifillim normal të jetës së përditshme, të gjithë bashkëqytetarëve që e hoqën atë siklet të madh dhe u lutem të tjerëve në vijim, të ndjekin me vëmendje kriteret e përcaktuara në shtetin fqinj për kalimin e kufirit, e të mos nisen pa u siguruar se mund ta kalojnë kufirin pa siklete të ngjashme.

Rrugë të mbarë udhëtarëve të fundit dhe ruani veten e të tjerët nga virusi i rrezikshëm Covid19.”-shkruan Rama.