Me rastin e festave kombëtare, e gjithë java ka patur aktivitete të ngjeshura të parashikuara nga Bashkia Shkodër, të cilat do të përmbyllen në datën 28, ditën e flamurit.

Kalendari festiv ka filluar të enjten e 23 nëntorit me dy aktivitete të ndryshme, i pari në Bibliotekën “Marin Barleti”, i cili solli periodikët e Shkodrës në vite, përmes një aktiviteti tejet të veçantë. Ndërsa i dyti, në po të njëjtën orë solli aktivitetin poetic me shkollat 9- vjeçare pranë Qendrës Kulturore të Fëmijëve. Data 24 nëntor iu kushtuar Galerisë së Arteve në Shkodër, me sallonin e vjeshtës.

Pjesë e këtyre aktiviteteve u bë edhe sporti, i cili erdhi në dy ditë të ndryshme, në datat 25 dhe 26 nëntor me kampionatin e lojërave me dorë në paallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Ndërkohë, datat 27 dhe 28 nëntor rezervojnë aktivitete më të ngjeshura të parashikuara nga Bashkia Shkodër. Këtë të hënë, duke filluar nga ora 11:00 e paradites biblioteka “Marin Barleti” vjen me një takim special të fushatës kombëtare të leximit “Takohemi për një libër”, për t’i lënë radhën pasdite ekspozitës “Histori Jete” në muzeun “Oso Kuka”.

28 nëntori, dita e flamurit, rezervon të tjera aktivitete të ngjeshura, të cilat fillojnë që në orën 9 të mëngjesit me maratonën e pavarësisë Shkodër – Ulqin, e cila fillon rrugëtimin në sheshin përpara Bashkisë Shkodër. Në orën 10:30 pritet të bëhet ngritja e famurit kombëtar po në sheshin përpara Bashkisë Shkodër.

Nga ora 11:15 minuta deri në orën 13:30 janë rezervuar homazhe tek statuja e Luigj Gurakuqit, në sheshin me të njëjtin emër, në sheshin 2 prilli, tek statuja e Isa Boletinit, në Varrezat e Dëshmorëve dhe në Varrezat Katolike të qytetit të Shkodrës. Në orën 18:00, banda frymore e qytetit do të mbaj një koncert në ambjentet e Teatrit “Migjeni”. Ndërkohë, aktivitetet festive me rastin e festave kombëtare të nëntorit pritet të përmbyllen në darkë me hedhjen e fishekzjarrevenë sheshin “Nënë Tereza”.

Artikulli paraprakPANAIRI I BASHKËNGJITET FESTIMEVE
Artikulli tjetër3 FITORE TË NJËPASNJËSHME TË VLLAZNIA B