Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur se ka kërkuar korrigjimin e kufirit me Serbinë, por mohon se kjo nënkupton ndarje të Kosovës.

 

“Dua të theksoj se dialogu ka vetëm një qëllim thelbësor, arritjen e marrëveshjes ndërshtetërore paqësore. Unë jam i përkushtuar për arritjen e marrëveshjes dhe kam propozuar, pas kërkesës së përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, për korrigjimin e kufijve. Si një mundësi e vetme që ata t’i bashkohen Kosovës, kjo nënkupton jo ndarje të Kosovës”, tha Hashim Thaçi.

 

Ai theksoi se synimi nuk është ndryshimi i kufijve, por korrigjimi i tyre. “Synimi nuk është ndryshimi i kufijve, por korrigjimi i tyre. Kemi 400 km kufijtë që mund të korrigjohet. Kjo nënkupton bashkëngjitjen e plotë në tërësi të Preshevës, Bujanovcit dhe Metvegjës”, tha Thaçi.

 

Më tej, Thaçi pranoi se arritja e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë është mjaft e vështirë, por ai tha se do të bëhet e pamundura, që kjo të ndodhë.

 

“Dialogu për normalizimin e dialogut me Serbinë është tema më kryesore. Ky është një proces shumë i vështirë, i rëndë, por i domosdoshëm. Vetëm duke arritur këtë marrëveshje ne arrijmë perspektivat tona në BE dhe NATO.

 

Mundësitë për të arritur një marrëveshje me Serbinë janë të vogla dhe gjasat janë minimale, por ne duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi për një marrëveshje historike dhe në mënyrë paqësore”, u shpreh Thaçi.

 

Gjatë konferencës së sotme për shtyp, presidenti Hashim Thaçi foli edhe për asiciacionin e komunave me shumicë serbe, që sipas tij ka marrë “bekimin” me marrëveshjet e 2013-ës dhe 2015-ës.

 

“Sa i përket asociacionit të komunave me shumicë serbe, kjo çështje është e qartë edhe me marrëvesëhjen e vitit 2013, edhe me atë të Isa Mustafës më 2015-ën. Asociacioni është kërkuar që të bëhet sipas atyre marrëveshjeve dhe me miratimin e palëve, pra nuk duhet të jetë i njëanshëm, por në mirëkuptim mes të dy palëve”, deklaroi Thaçi.

Artikulli paraprakKOMAN, KAMIONI BIE NË HUMNERË, 3 TË PLAGOSUR
Artikulli tjetërEMIGRANTËT NË ITALIA PROTESTOJNË NDAJ KUSHTEVE SKLLAVËRORE