Ekipi i Vllaznisë në çiklizëm ia ka arritur qëllimit për të kryesuar në Kampionatin Kombëtar të Çiklizmit që u zhvillua këtë fundjavë për dy ditë me radhë në Tiranë. Ky kampionat u zhvillua në garën e kronometrit dhe të rezistencës.

Në renditjen ekipore kuqeblutë kanë zënë vendin e parë ndërkohë në renditjen individuale për kategorinë paratërinj ata janë renditur në vendet e 2, 3 dhe 4 ndërsa në të parin është renditur një çiklist që stërvitet në një ekip profesionist në Itali.

Në garën e kronometrit individual ka pasur edhe shumë rivalitet mes konkurentëve ku çiklistët shkodran Bruno Kola dhe Astrit Kronaj janë renditur ne vendin e dytë dhe të tretë dhe në të katërtin Dëfrim Dholla po i Vllaznisë.

Me 8 korrik është zhvilluar edhe gara e dytë ajo e rezistencës. Edhe në këtë garë janë pozicionuar në të dytin, të tretin dhe të katërtin sportistët e Vllaznisë si Kronaj, Kola dhe Dholla.

Kështu sportistët e Vllaznisë e kanë mbyllur këtë aktivitet të rëndësishëm duke arritur edhe objektivin e tyre teksa kanë dominuar në këtë kampionat për të rinjtë dhe paratërinjtë. Në përfundim të garave janë dorëzuar edhe medaljet për triumfuesit.

Sakaq stafi i ekipit kombëtar ka përcaktuar edhe përbërjen e skuadrës përfaqësuese që do të marrë pjesë në Kampionatin Europian i cili do të zhvillohet pas disa ditësh në Çeki dhe baza e tij do të jenë kryesisht çiklistët e ekipit të Vllaznisë.

 

Artikulli paraprakVELIPOJË, PLAZHI PA ROJE BREGDETARE
Artikulli tjetërLEZHË, OSHEE REMONTE NË BLINISHT DHE KALLMET