Me kalimin e orëve, situata në pikën kufitare të Kalimit në Kakavijë sa vjen dhe po rëndohet! Prej tre ditësh, qindra qytetarë janë në pritje për të bërë tamponin dhe për të kaluar drejt Greqisë, por kjo radhë sa vjen dhe po shtohet.

Ditën e sotme raportohet se vargu i makinave ka shkuar deri në fshatin Jorgucat, në drejtim të Sarandës.

Shkak është bërë tamponi që duhet t’u bëhet çdo qytetarëve, por edhe mbyllja e kësaj pike kufitare të palës greke gjatë natës, nga ora 22:00-06:00. Qytetarët shprehen të indinjuar, ku i bëjnë apel shtetit shqiptar për të ndërhyrë.

Gjendja shëndetësore e një qytetareje në Kakavijë është rënduar.

Burime bëjnë me dije se prej mbrëmjes së djeshme ajo ka shfaqur probleme shëndetësore. Qytetarët prej 3 ditësh po qëndrojnë në radhë në pritje për të kaluar drejt Greqisë, mes temperaturave të larta, diellit të fortë, por edhe gjatë natës.