Partia Demokratike ka bllokuar foltoren e Kuvendit pasi akuzon maxhorancën se ka bërë grusht shteti kur nuk lejoi që të çonin në kushtetuese mandatin e Rakip Sulit.

Pas mbajtjes së një minute heshtje për viktimat e Brukselit, Eduard Halimi tha se Parlamenti një javë më parë bëri grusht shteti kur rrëzoi kërkesën e PD­së për të çuar në Gjykatën Kushtetuese heqjen e mandatit të Rakip Sulit. Sipas PD­së, Suli akuzohet për përfitim të fondeve publike gjatë kohës që gëzon mandatin e deputetit. “Rrëzimi i kërkesës së Partisë Demokratike për të çuar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e dy deputetëve që kanë abuzuar me fonde publike, është grusht shteti për këtë gjykatë. Një vit më parë ne iu drejtuam Gjykatës edhe për Koço Kokëdhimën. Gjykata nxori një vend ku thotë se maxhoranca nuk mund të bëhet mburojë, nuk mund ti kthejë deputetët në të paprekshëm. Ky Parlament nuk mund të jetë kurrë i banditëve dhe abuzatorëve”, tha Halimi. Sipas tij “sot kemi një Parlament që kanë hyrë persona me rekorde të tmerrshme personale dhe rrinë krah për krah me ne. Kemi një Parlament që deputetët marrin fonde publike me leje të kryeministrit dhe Parlamenti refuzon ti çojë para drejtësisë dhe ata rrinë krah për krah me ne. Ndaj dhe në këto kushte opozita dhe gjithë qytetarët janë të vendosur që ky Parlament nuk mund të vazhdojë funksionin e tij”. Pas fjalës së Halimit, deputetët demokratë bllokuan foltoren e Kuvendit duke mos e lënë Rakip Sulin ti përgjigjet Halimit. Pas kaosit të krijuar, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, njoftoi për pesë minuta pushim.

Artikulli paraprakTURQIA ARRESTON 5 PERSONA QË DONIN T’I BASHKOHESHIN SHTETIT ISLAMIK
Artikulli tjetërSHKODËR, MËSUESJA E FISKULTURËS HUMB JETËN NË ORËN E MËSIMIT