Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë dhe ministrisë së Jashtme që të vërë menjëherë kontakte me palën greke për të lehtësuar situatën në pikën kufitare të kalimit në Kakavijë. Meta shkruan se zgjidhja duhet të jetë e menjëhershme, pasi sikur të mos mjaftonte mungesa e ujit, ushqimit dhe e kushteve të higjenës personale, qytetarët janë të rrezikuar edhe ndaj COVID-19.

“Thellësisht i shqetësuar për situatën në të cilën ndodhen qytetarët shqiptarë të cilët vijojnë të jenë të bllokuar prej shumë orësh në pikën kufitare të Kakavijës, duke u ekspozuar seriozisht para rrezikut të përhapjes së pandemisë COVID-19.

I bëj thirrje urgjente Qeverisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, të vendosin kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në anën tjetër të kufirit. Zgjidhja duhet të jetë e menjëhershme”, shkruan Meta.