Më pak se katër muaj më parë, hetuesit francezë zbuluan se një apartament në “42 Avenue Berthelot” në distriktin e shtatë në Lyon shërbeu si bazë logjistike për trafikantët shqiptarë të drogës.

Në fund të majit, 10,000 euro të dyshuara si të përfituara nga trafiku i heroinës u zbuluan pas arrestimit të një azilkërkuesi që kishte çelësat.

Ky i fundit u dënua me tre vjet burgim.
Trafikantët, duke imagjinuar ndoshta se policia nuk do të kërkonte në të njëjtën adresë dy herë, vazhduan ta përdornin.

Por, apartamenti ishte këtë javë skena e një konfiskimi rekord për policinë lokale, me një stok të kanabisit bimor dhe heroine me një vlerë tregu prej një milion euro.
Media franceze “leprogres” raporton se kohët e fundit, policia mblodhi informacionin se një apartament në distriktin e shtatë përdorej si një depo nën mbikëqyrjen e një shtetasi shqiptar.
Hetimet shpejt i çuan në një adresë që i njihnin mirë, pasi ishte përdorur nga trafikantët më herët.
Të hënën, gjatë një mbikëqyrje, policia pa një burrë që po largohej nga banesa. Ata shfrytëzuan mungesën e tij për të sjellë në zonë një qen të specializuar në nuhatjen e narkotikëve, i cili qëndroi përpara derës së banesës në fjalë.

Hetuesit pritën që i dyshuari të kthehej në shtëpi dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë hapur derën e banesës.

Ky i fundit, pasi kuptoi se në banesën e tij mësynë efektivë policie, u përpoq t’ia mbathte duke dalë nga ballkoni, e më tej kaloi në çati. Por, u arrestua pak kohë më pas.
Në apartament, policia gjeti 104 kg kanabis dhe 984 g heroinë të pastër. Kanabisi dyshohet se vinte nga Shqipëria.

Gjatë ndalimit të shqiptarit, që zgjati 96 orë, ai nuk dha asnjë informacion për bashkëpunëtorët dhe sponsorët e tij. Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u paraqit këtë të premte në zyrën e prokurorit.

Megjithëse nuk është krijuar asnjë lidhje formale mes tij dhe rrjetit të shpërbërë në maj, përdorimi i të njëjtit apartament dhe shtetësia shqiptare, ngrenë dyshime se i arrestuari ka lidhje me një organizatë të madhe kriminale.