Një sasi droge me vlerë 10 milionë euro është sekuestruar në brigjet e Salentos. Në pjesën e fshehur të një skafi, është gjetur sasia prej 1 ton e drogës së kapur.

Tre skafistë janë arrestuar. Trafikantët ishin maskuar si turistë. Ata janë pikasur nga helikopteri i Guardia di Finanza ku kanë tentuar të largohen. Brenda pak minutash janë kapur nga policia.

Operacioni ndërkombëtar i koduar “Themis 2018”, është zhvilluar nga Frontex dhe Policia shqiptare. Sasia e marijuanës vinte nga Shqipëria.

Në njoftimin e Guardia di Finanza thuhet se operacioni “Themix 2018” u zhvillua në bashkëpunim me policinë shqiptare, dhe se për ardhjen e skafit drejt Brigjeve të Salentos, ka qenë sinjalizimi i policisë shqiptare që ka bërë të mundur zhvillimin e operacionit.

Burime nga Policia e Vlorës pohojnë se droga është nisur nga Qeparoja rreth 3 ditë më parë.

Mësohet se droga është kapur gjatë ditës dhe jo gjatë natës, siç ndodh zakonisht në operacionet anti-drogë.

Skafistët ishin maskuar si turistë dhe po lëviznin ngadalë drejt portit të Leucas, një port i madh turistik, ku qëndrojnë jahte luksoze dhe anije.

Helikopteri i Guardia di Finanza i ka pikasur skafistët dhe skafin, sepse qëndronte i zhytur shumë poshtë.

Atyre iu është bërë thirrje të ndalojnë, por skafistët kanë tentuar të largohen me shpejtësi për disa minuta, por më pas janë kapur nga policia italiane.

Droga ishte e fshehur brenda 49 pakove. Skafi po drejtohej nga 3 skafistë, dy shqiptarë nga Vlora, raportojnë mediat italiane me moshë 30 dhe 34 vjeç, dhe një italian 65 vjeç.

Dy skafistët shqiptarë janë identifikuar si A.M. dhe E.A të dy nga Vlora, dhe M.G, italiani, i lindur në La Spezia.

Që nga fillimi i këtij viti Guardia di Finanza ka konfiskuar 9 skafe me rreth 13 ton drogë, ndërsa 28 trafikantë janë arrestuar.