Policia ka kryer një operacion të gjerë në Shijak, ku në shënjestër ishin personat që posedojnë armë pa leje, ata me precedentë penalë dhe shpërndarësit e lëndëve narkotike.

Në kuadër të këtij aksioni, që ka si qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, janë sekuestruar armë dhe municione luftarake, si dhe ka rënë në pranga një person.

Policia njofton se ka arrestuar shtetasin Ervin Çizmja, 31 vjeç, banues në Shijak, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

• një armë zjarri pistoletë TT model 54, kalibër 7.62 mm me kreher;•një armë gjahu teke;• 261 copë fishekë model 54 kalibri 7.62 mm;•një silensiator arme zjarri me gjatësi të pergjithshme 23 cm;• një gjerdan me fishekë arme gjahu me kalibër 12 mm me 28 fishekë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” parashikuar në nenet 278/4 dhe 280 të Kodit Penal.

Personi i arrestuar nga policia në Shijak për mbajtje armësh dhe municione luftarake nuk është një emër i panjohur për policinë. 31-vjeçari Ervin Çizmja është autor i një ngjarjeje të ndodhur në mars të vitit 2011, ku së bashku me tre persona të tjerë terrorizuan me breshëri automatiku banorët në fshatin Kënetë, në Durrës.

Çizmja, në atë kohë 23 vjeç, dhe tre personat e tjerë, ishin autorët e vjedhjes së një dyqani me maska dhe armë, por që ngjarja u zbardh shumë shpejt nga uniformat blu.