Athina është e interesuar që marrëdhëniet me Shqipërinë të rikthehen në nivelin para incidentit të 28 tetorit, ka deklaruar ministri alternat i punëve të jashtme Jorgos Katrougalos.

Katrougalos e bëri këtë deklaratë nga Selaniku, ku po zhvillon punimet ministerali i katër vendeve, Greqi, Shqipëri, Maqedoni dhe Bullgari. Në këtë ministeral Tirana përfaqësohet nga zëvendësministrja e jashtme, Artemis Dralo.

Katrougalos dha të premten në mesditë një intervistë për televizionin publik ET 3, ku u pyet edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë, që po kalojnë një periudhë ngërçi pas zhvillimeve më të fundit.

Katrougalos: Edhe me Shqipërinë, ashtu siç bëmë dhe me Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, synimi ynë është që të diskutojmë dhe të zgjidhim çdo pikë që ka përcaktohet si diferencë ndërmjet të dy vendeve dhe të promovojmë interesat e përbashkëta, siç është delimitimi i zonave detare.

Natyrisht, ngjarja e trishtueshme e vdekjes së Katsifas, krijoi tensione në marrëdhëniet tona, por jo me përgjegjësinë tonë. Ne që nga fillimi kishim bërë të qartë se prioriteti ynë ishte të binte dritë e plotë mbi çështjen, të respektohen të drejtat e minoritetit tonë në Shqipëri dhe natyrisht, duke u përmbushur dy të parat, të ruajmë nivelin e mirë që kishim arritur në marrëdhëniet dypalëshe.

Ajo që po bëhet sot është një përpjekje në këtë drejtim, t’i risjellim marrëdhëniet tona në nivelin shumë të mirë ku kishin mbërritur si rezultat e përpjekjeve të përbashkëta të dy ministrave të jashtëm. Të kujtoj se më 28 tetor, kur ndodhi ajo ngjarja e trishtueshme e vdekjes së Katsifas, ishte planifikuar një veprimtari pajtimi ndërmjet të dy popujve.

Bularati ishte i stolisur me flamuj grekë dhe po u bëheshin nderime të rënëve në frontin shqiptar pas një marrëveshjeje që në thelb donte të ratifikonte klimën e mirë dhe vendimin e të dy shteteve për t’i sjellë marrëdhëniet tona dypalëshe në një nivel të mirë. E njëjta klimë presim që të vazhdojë edhe tash e tutje”, përfundoi numri dy i diplomacisë greke.