NË 5 VITET E ARDHSHME NUK PRITET QË TË KETË ZGJERIM TË BE.Nis sot zyrtarisht mandati i Komisionit të ri Europian që drejtohet nga Jean-Claude Juncker. Pas dy mandatesh të Jose Manuel Barroso, i cili mes viteve 2004-2014 mirëpriti në BE 13 vende të reja anëtare, zgjerimi ka kaluar tashmë në plan të dytë.Ish-kryeministri i Luksemburgut ishte i qartë që kur prezantoi programin e tij në muajin korrik kur tha se për 5 vitet e ardhshme nuk do të ketë zgjerim të BE-së sepse është e nevojshme që të absorbohen pranimet e bëra në 10 vitet e fundit.

Dhe propozimi i Juncker u transformua menjëherë në një direktivë konkrete me ndryshimin e emrit të departamentit të zgjerimit, që mbahej deri dje nga Stefan Fule. Që sot ky portofol do të drejtohet nga Johannes Hahn i cili quhet komisioner i politikave të fqinjësisë dhe negociatave për zgjerimin. Megjithë kërkesat e shumta për të ndryshuar këtë emërtim, Juncker u tregua i palëkundur duke konfirmuar edhe pas votëbesimit që mori në Strazburg se nuk do të ketë asnjë anëtarësim të ri para 2019-ës. E megjithatë të mërkurën, në konferencën e tij të fundit për shtyp në Bruksel, presidenti në ikje Barroso përsëriti edhe një herë se zgjerimi i BE-së ishte një prej sukseseve më të mëdha të historisë bashkohore europiane. Federica Mogherini ka vënë theksin tek rinisja sa më shpejt e dialogut të nivelit politik mes Kosovës e Serbisë. Sipas programit të bërë publik, Komisioni i ri Europian do t’i vërë theksin reformave për të garantuar respektim të plot të shtetit të së drejtës dhe për të rimëkëmbur ekonominë përmes rritjes së punësimit.

[iframe width=”300″ height=”390″ src=”//www.youtube.com/embed/mG9PHwbvc5k?list=UU0aBDfsVqdL53NOE5eMXAUw” frameborder=”0″ allowfullscreen ]