Pas këngëtares Dua Lipa, një tjetër emër i njohur në fushën e muzikës pritet të vijë në Tiranë.

Ajo është Bebe Rexha, gjithashtu një këngëtare shqiptare me famë ndërkombëtare, e cila do të mbërrijë në kryeqytet në muajin shtator. Lajmin e ka bërë të ditur vet 26-vjeçarja në llogarinë e saj në “Twitter”, por edhe kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj. Bebe Rexha lindi në Nju Jork nën emrin Bleta Rexha në vitin 1989 nga dy prindër shqiptarë. Ajo nisi të këndonte në moshën 4-vjeçare, ndërsa krahas këngës ushqeu pasionin për disa instrumenta muzikore. Gjatë shkollës së mesme, Bebe Rexha ishte pjesë e një bande muzikore femërore. Takimi me Samanta Cox, e cila në atë kohë punonte për promovimin e artisteve Lady Gaga dhe Kesha, i hapi rrugën e muzikës Bebe Rexhës, kur ajo ishte vetëm 15 vjeç. Rexha është e njohur për hitet me të cilat ka fituar zemrat e adoleshentëve dhe të rinjve në mbarë botën, ndërsa nuk janë të pakta edhe bashkëpunimet me emra të njohur të muzikës, si David Guetta, Pit Bull, Nicky Minaj etj. Ndër hitet më të njohura të saj janë “No Broken Hearts”, bashkëpunim me Nicky Minaj; “Hey Mama”, “Me, Myself and I”, etj.